×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Fakte dhe dokumente/ Pse ‘BastArena’ qëndron e vetme në treg dhe loja e Ramës

Premte, 19 October 2018 16:06

Nga Poli Hoxha

Kryeministri, Edi Rama, mbajti një fjalim plot nerv ditën e enjte në seancën parlamentare, për ti shpjeguar shqiptarëve arsyet, se përse po mbyllte në bllok të gjithë biznesin e basteve sportive fizike.

U përqendrua në plagët sociale që shkakton vesi i kumarit; përmendi edhe një studim me përfundime të frikshme të dy viteve më parë për pasojat, (I bërë nga Universitetit i Tiranës, për këtë çështje); rolin e krimit të organizuar në këtë biznes etj, por nuk ju përgjigj disa pyetjeve të thjeshta.

Përse nuk i mbylli që kur nisi me bujë operacionin e katandisur në show, ‘Fundi i Marrëzisë’, por përkundrazi i la të lulëzojnë?

Si ka mundësi që në atë kohë gjeti nga qeveria e kaluar, vetëm 924 pika në gjithë Shqipërinë, kurse sot që po i  mbyll janë gati 5 fish më shumë, rreth 4200?!

Cilat ishin arsyet që ligji nr.155/2015 (ndër më të mirët në botë, për këtë fushë), ‘Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë’, nuk u zbatua asnjëherë, sidomos për sa i përket distancës mes bastoreve, moshës mbi 21 vjeç të lojtarëve; afërsisë me institucionet fetare, shkollave, etj?

Meqenëse një pjesë e këtij biznesi, qenka një vatër e parave të drogës dhe krimit të organizuar (dhe për këtë, nuk e kundërshton njeri), përse organet ligj-zbatuese, policia e para, Drejtoria Kundër Pastrimit të Parave, por edhe Tatimet etj, nuk i ka goditur kurrë gjatë këtyre 5 viteve, që ai ka pushtetin qeveritar dhe as sot?!

Të gjithë biem dakord, që vesi i kumarit shkatërron rininë dhe mijëra familje shqiptare, po përse kryeministri i vendit të cilin e paska zënë meraku i madh për këto plagë sociale, nuk ndërhyri të paktën 2 vite më parë kur Universiteti i Tiranës i dorëzoi qeverisë, studimin që përmendi në parlament?

Ka shumë arsye të cilat zbulojnë të vërtetën e kësaj fushate që ka nisur Edi Rama, kundër basteve sportive fizike:

Sondazhet e tij private i tregojnë shifra të frikshme të rënies së popullaritetit, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve të radhës; skandalet e papërballueshme me Xhafajt, Xhisielën e Ballën etj.

Është e vërtetë që shqiptarët, familjet janë të lodhura dhe në depresion nga ky ves që u bë me shpejtësi aq masiv, por e vërteta është se nëse kryeministrit kishte këtë merak, do të kishte ndërhyrë me kohë.  

Prandaj në këtë shkrim, do të përpiqemi të demontojmë me fakte dhe dokumentacion, vetëm një nga arsyet madhore, se përse Rama po harxhon kaq shumë energji për këtë aksion; atë të monopolit të basteve online. Kryeministri po bërtet, se në 31 Dhjetor do të mbyllen edhe bastet online, po thjesht gënjen.

Menjëherë pasi shkruante në rrjet, ‘Për Vit të ri do të vdesin të gjitha baste, edhe monopoli online’, kompania BastArena me shpejtësi u shpërndau lojtarëve një njoftim ku u thoshte; ‘Ndryshimet e reja ligjore të qeverisë, nuk na prekin’!

Image

Do të ishte më e ndershme që kryeministri të tregonte të vërtetën, e cila është e zezë mbi të bardhë në projektligjin e datës 9 Dhjetor të këtij viti, që u firmosi papritur, ‘për të shpëtuar’ shqiptarët nga vesi i basteve sportive. Por edhe te licenca koncesionare dhënë ‘BastArenës’dhe te një VKM speciale e vitit 2017…

Image

Çfarë është koncesioni, ‘BastArena’

Mjafton një klikim i thjeshtë në adresën ‘bastarena.com’, që të mësosh se çfarë është ky aktivitet që po bombardon shqiptarët dhe gjithë bastexhinjtë e sportit të cilët janë alarmuar pas vendimit të qeverisë, për mbylljen e ‘shtëpive’ dhe ‘vendit të tyre të punës’.

Aty mund të lexosh (shih foton) se si shfaqen ‘krenarist’ dhe si mburren hapur, se janë e vetmja kompani bastesh futbolli, garash me kuaj etj, që do të mbeten pas 1 Janarit 2018.

E kemi zbërthyer në një investigim të pak ditëve më parë (https://www.syri.net/politike/201336/goditja-e-madhe-qindra-milion-euroshe-e-rames-per-monopolin-e-basteve/), se ‘BatsArena’ është një bijë e ‘Universe Sha’ (e regjistruar në një apartament një dhomë e kuzhinë në Durrës), e cila edhe kjo nga ana tjetër është një bijë e kompanive offshore, me përfaqësues ‘biznesmenë’ turko-qipriot.

Fillimisht ajo u regjistrua më 30 Qershor të viti 2017 si ‘OJF-Test’ për lojërat elektronike në distancë. Vetëm 1 muaj më pas ‘BastArena’ është regjistruar si biznes aktiv në QKB, më 30 Qershor 2017 me Nipt: L71904512F.

Më 5 Korrik të atij viti AMLF vetëm 24 orë pas një shkrese të ministrisë së Financave, nëpërmjet vendimit me nr protolli 2609 konfirmon kërkesën e Ahmetajt, për ‘ Licencim të Koncesionit BastArena’.

Pak muaj më pas qeveria Rama, mori VENDIM Nr. 684, datë 22.11.2017 për përcaktimin e kushteve dhe të kërkesave teknike, që duhet të plotësojë subjekti për kategorinë ‘lojëra elektronike në distancë’.

Në këtë VKM vihet re, se propozimi i ministrisë së Financave për qeverinë ishte që kompania përpara se të nisë aktivitetin e plotë, duhet të ngrijë si garanci, 2 miliardë lekë (rreth 20 milion USD). Por kjo kërkesë është ndryshuar duke lehtësuar kompaninë dhe është bërë, 1.2 miliard lekë. Sipas disa burimeve të hapura mediatike dhe të tjera  konfidenciale, ‘BastArena’, as këtë shumë nuk e ka depozituar.

Dyshohet se shuma që ka lënë si garanci është rreth 500 milion lekë të reja. Tani për tani ky fakt është i vështirë të vërtetohet. Kjo pasi AMLF, menjëherë pas mbledhjes së qeverisë së datës 9 Tetor, ku përveç vendimit për mbylljen e të gjitha basteve sportive fizike u vendos edhe pezullimi i Autoritetit të Mbikqyrjes, e ka mbyllur faqen e saj (shih foton) në internet, ku mund të gjendeshin detaje dhe hollësi, për licensën e ‘Koncesionit BastArena’.

Image

Gjithsesi, afati i licencimit është në fazën e parë, për 10 vjet. Me letra, administratori i saj është Dritan Jeminaj, kurse bordi përbëhet nga 3 turq-qipriotë.

Pasi u ‘kopsitën’ të gjitha kartat në ministrinë e Financave dhe AMFL, si dhe futën në xhep vendimin e qeverisë, koncesioni-monopol ‘BastArena’ nisi një fushatë agresive promocioni shoqëruar, edhe me krijimin e një portali të fuqishëm sportiv; eduasportin.com.

Në të gjitha njoftimet që bën në faqen e vetë dhe mesazhet që ju dërgon lojtarëve kjo kompani i mëshon faktit, që janë të vetëm në treg për bastet online.

Image

Madje në një shkrim-promocion me titull ‘BASTARENA’, ZBULONI SURPRIZAT’  (http://www.panorama.com.al/sport/bastarena-zbuloni-surprizat/) që u botua te të gjitha mediat sportive pa përjashtim, por jo vetëm, në fillim të muajit Shkurt 2018 ky koncesion shkon deri aty sa që thotë me krenari për veten, se kompania e tyre ‘ka garanci shtetërore’.

‘Duhet theksuar qysh në fillim se ‘Bastarena’ është shoqëria e parë dhe e vetme e liçencuar në tregun e lojërave elektronike në distancë. ..Një ndër pikat më të forta që kjo kompani ka është besueshmëria. I ka mëshuar fort këtij aspekti dhe te ‘Bastarena’ e thonë me plot krenari se janë e vetmja shoqëri online e besueshme me garanci shtetërore’, thuhet mes të tjerave në këtë shkrim-reklamë të kompanisë.

Deri këtu duket se gjithçka shkon vaj për ‘BastArena’, por ‘testet’ duket se nuk kanë dhënë përfundimet dëshirore për fitimin e pritshëm nga ky biznes mjaft fitimprurës. Kjo për faktin e thjeshtë se tregu ishte i mbingopur me lotaritë e basteve sportive fizike.

Edhe ata lojtarë të mëdhenj kur duan të luajnë online, preferojnë kompanitë jashtë vendit (Rama premton se do ti mbylle edhe këto), ku mundësitë e skemave të te vënies së një basti dhe koeficientet janë më të mëdha.

Image

Qeveria dhe Edi  Rama, hyjnë në lojë të rëndë

Në fillim të muajit Tetor të këtij viti, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u dërgojnë një shkresë të gjitha kompanive të lojërave të fatit (përfshi edhe ato të basteve sportive fizike) nëpërmjet të cilës u shpjegojnë se si do të veprojnë në vazhdim, pas miratimit të ligjit të fundit në parlament (I kthyer nga presidenti Meta) për taksimin e tyre.

Por papritur më datën 9 Tetor 2018, Edi Rama, mbledh qeverinë dhe vendos të ndryshojë ligjin e vitit 2015 për lojërat e fatit në vetëm një pikë, sipas të cilës mbyllen lojërat e basteve sportive fizike.

Menjëherë pas kësaj në disa media dhe nga ana e opozitës, u denoncua fakti se e gjitha kjo po bëhej për të favorizuar një monopol të ri në këtë fushë, që kontrollohet nga njerëz të afërt të Edi Ramës; bastet online.

Vetë kryeministri nëpërmjet postimeve sistematike në rrjetet sociale, e mohoi këtë gjë, duke deklaruar se më darë 31 Dhjetor do të mbyllet çdo bastore e kumarxhore, duke përfshirë edhe ato online.

Çdo gazetar i vëmendshëm mund të kishte kapur që në fillim trukun, që po përdorte me këtë rast kryeministri; Thotë se do të mbylli bastet online, por nuk deklarohet për ‘lojërat elektronike në distancë’, që në fakt janë e njëjta gjë.

Pikërisht duke e kuptuar se shumë shpejt do të dilte sheshit kjo lojë fjalësh, Rama në emisionin ‘Dritare’ të Rudina Xhungës dhe më pas në parlament bëri një hap prapa duke deklaruar se, ka ngritur një grup pune për të parë se si do të funksionojnë ‘bastet online’.

Image

Pyetjes retorike  së moderatores Xhunga; Po monopolizohen dhe nuk po mbyllen, kryeministri ju përgjigj kështu:

‘Ne do punojmë për regjimin e ri të basteve online. Ne kemi ngritur një grup pune dhe në 31 dhjetor do mbyllen të gjitha duke përfshirë edhe këtë monopolin online. Do kemi një garë të hapur për këtë treg. Kam parë shumë përpjekje se do intesifikohen. Po i heqim miliarda krimit të organizuar. Një pjesë janë kompani ku fshihet një segment i krimit të organizuar’.

Për herë të parë kryeministri pohoi se në treg do të ngelen bastet online, por… se ka ngritur një grup pune, do të ketë garë në treg etj.

E vërteta është, se Rama dhe qeveria që ai drejton e ka kopsitur këtë çështje vetëm në favor të një koncesioni-monopol, që është ‘BastArena’ dhe këto grupet e punës dhe garat janë thjesht propagandë. Ndërkohë që Rama shkruante ‘cicërima’ dhe statuse në Facebook duke u përbetuar se më 31 Dhjetor do të mbyllen edhe bastet online (flet në numrin shumës, por në fakt kemi vetëm një kompani), BastArena menjëherë pas vendimit të qeverisë së 9 Tetorit, nisi një fushatë eksplozive auto-reklame.

Përveç bombardimit me mesazhe në inbox të lojtarëve, ku ju ofrohen lehtësi në regjistrim dhe bonuse; mëshimit të faktit se që nga 1 Janari do të jenë të vetmit në treg, kanë arritur deri aty sa të bëjnë reklama, edhe në zyrat e Postës Shqiptare dhe autobusët e transportit publik (shih fotot), siç ishte rasti i Durrësit të Vangjush Dakos, ku edhe ka adresën e regjistrimit kompania offshore ‘Universe ShA’.

E vërteta e VKM së datës 9 Tetor dhe loja me projektligjin e ri

Në emisionin e kësaj të enjteje, ‘Opinion’ të Blendi Fevziut, kur po debatohej për këtë çështje kreu i opozitës, Lulzim Basha, ju tha atyre që i citonin Ramën se, ‘nuk do të kishte, as baste online’, se e gjitha ishte një mashtrim.

E keni lexuar ligjin e ri-u tha Basha- duke tundur letrat e projektligjit të miratuar në datë 9 Tetor në qeveri dhe që pritet të kalojë në seancën e radhës në parlament?.

E tha Basha, tundi edhe ligjin ku kapet Rama në mashtrim, por ashtu si i ndodh jo rrallë, ra pre’ e zhurmave të dy kolegëve aty dhe e harroi fare…

Prandaj, po e zbulojmë këtu të vërtetën.

Image

‘Projektligj për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr.155/2015, ‘për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

Vendosi:

Neni 1

Në nenin nr.71, ‘Dispozita kalimtare’, të ligjit nr.155/2015, ‘Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:

1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

‘2.1. Organizatorët e kategorive ‘Baste sportive’ dhe ‘Baste për garat në pistë’ do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018.
Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura, në proces shqyrtimi, ndërpriten.’.

2. Në pikën 3, fjala ‘… të kategorive …’ zëvendësohet me ‘…të kategorisë…’, ndërsa fjalët ‘…’Basteve sportive’…’ dhe ‘…’Baste për garat në pistë’…’ hiqen.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren zyrtare’.

Image

Ky dokument është marrë ‘copy paste’ nga faqja e Këshillit të Ministrave publikuar menjëherë pas mbledhjes së qeverisë së datës 9 Tetor të këtij viti.

Nëse vini re me kujdes, në të dyja pikat me anë të së cilave bëhen ndryshime në ligj mungon  kategoria; ‘lojrat elektronike në distancë’. Kanë zgjedhur vetëm pikën 3 të nenit 71 ku përcaktohet afti i licensimit të ri deri në Dhjetor 2016 (që vetë e shtynë disa herë) në të cilën përfshihen vetëm lojërat me licensë deri atëherë; ‘baste sportive’; ‘garë në pistë’ dhe ‘Telebingo’. Mungojnë ‘lojëra elektronike në distancë’, sepse ende nuk kishte asnjë kompani të regjistruar në atë vit.

Me pak fjalë nëse ligji i propozuar nga Rama do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që nuk ka gjasa të mos ndodhë, në tregun shqiptar të basteve do të mbetet; vetëm një licencë- kazino; një lotari kombëtare, një bingo televizive dhe një kompani e licencuar për baste përmes internetit e cila sipas dokumentacionit që paraqitëm më lartë është vetëm; ‘BastArena’.

Neni Nr.5 i ligjit 155 për lojërat e fatit thotë;  Kategoritë e lojërave të fatit Kategoritë e lojërave të fatit, që lejohen të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë, për të cilat shoqëritë e interesuara mund të licencohen bazuar në këtë ligj, janë: a) baste sportive; b) baste për gara në pistë; c) kazino/kazino të vendosura në hotele me 5 yje; ç) lojë elektronike në distancë; d) resort kazino; dh) Lotaria Kombëtare; e) bingo televizive.

Me ndryshimin në pikën 3 të nenit 71 të ligjit 155 fshihen automatikisht nga neni 5 i ligjit, anekset a) dhe b), por mbetet aneksi ç); lojë elektronike në distancë.

Dhe për të paktën në10 vitet në vazhdim; me një VKM të posaçme të qeverisë (Vendim nr. 684, datë 22.11.2017 për përcaktimin e kushteve dhe të kërkesave teknike që duhet të plotësojë subjekti që do të licencohet për kategorinë ‘lojëra elektronike në distancë’),  licensë koncesionare nga Ministria e Financave dhe me miratim të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, ajo është ‘BastArena’.

Kush fshihet realisht pas saj… vijon!

Login to post comments