Skadon afati Kushtetues/ Presidenti Meta nuk dekreton Sandër Lleshin në postin e ministrit

Saturday, 03 November 2018 08:12

Afati kushtetues që presidenti Ilir Meta kishte për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm të propozuar nga Edi Rama, Sandër Lleshi, ka skaduar.

Kushtetuta i njeh Presidentit të republikës vetëm 7 ditë kohë në dispozicion që nga momenti i propozimit të kryeministrit të vendit.

Pengesë kushtetuese nga ana e ekspertëve ligjor në presidencë është parë dhe fakti i gradës gjeneral që mban Lleshi, pasi Kushtetuta e thotë qartë se ministri nuk duhet të mbajë asnjë post tjetër publik, apo të jetë pjesë e Forcave të Armatosura.

Dje presidenti Meta ka folur lidhur me këtë vendim dhe ka thënë  se: ‘nuk është çështje shpatullash, por është çështje bindjesh, nëse nuk më bindin nuk do ti dekretoj’.

‘Kemi rastin e Italisë ku presidenti ka të njëjtat kompetenca, ku ai mendoi se një emër i propozuar si ministër ekonomie nuk e firmosi, pasi mendoi se rrezikonte ekonominë e Italisë. Askush nuk e detyron presidentit të firmosë një emër jashtë bindjes së tij’, u shpreh gjatë intervistës së tij për syri.net presidenti Meta.

Sjellja e Presidentit Italian nga ana e Presidentit Meta duket se është edhe një përgjigje për të gjitha pretendimet e ngritura deri më tani nga mazhoranca dhe që mund të ngrihen në orët e ardhshme.

Modifikuar më Saturday, 03 November 2018 08:29
Login to post comments