Sekretari i Përgjithshëm, njëkohësisht deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari ka reaguar pas emërimit të Sandër Lleshit si zv.Ministër i Brendshëm nga Kryeministri. Braimllari shkruan se Zv. Ministri në fjalë ishte këshilltar për sigurinë në periudhën më të errët të vendit duke arsyetuar se nuk ka reaguar për asnjë nga ngjarjet e rënda që kanë ndodhur duke nisur që nga kanabizimi i vendit.
Postimi i plotë:
Emërimi i Sandër Lleshit si zv. Ministër i Brendshëm që do mbulojë detyrat e ministrit tregon dhe njëherë që Edi Rama nuk shkëputet dot nga strukturat kriminale të cilat e kanë marrë peng.
Zv. Ministri në fjalë ishte këshilltar për sigurinë në periudhën më të errët të vendit. Këshilltar kur ministri trafikant i brendshëm i Edi Ramës mbushi Shqipërinë me drogë, këshilltar për sigurinë kur krimi i organizuar dominoi dhe shtriu terrenin e tij në çdo cep të Shqipërisë. Ishte këshilltar për sigurinë kur radarët fikeshin me urdhër politik duke favorizuar trafikun e lëndëve narkotike dhe për këtë kemi përgjimet e Antimafias, ku Habilajt e ministri i tij e bënin të qartë që “në qendrën e monitorimit të radarëve kemi njerëzit tanë”. Këshilltar për sigurinë ku droga mbushi çdo gjimnaz të Shqipërisë. Këshilltar për sigurinë kur raportet e CIA-s apo dhe të agjensive të tjera ligjzbatuese e rradhisnin Shqipërinë një vend kyç për trafikimin e lëndëve narkotike dhe drogërave të forta. Këshilltar për sigurinë kur kufijtë shqiptar kontrolloheshin nga krimi i organizuar. Këshilltar për sigurinë kur shefi i tij, bosi i drogës, i bënte thirrje Policisë së Shtetit të hiqte kapelet dhe të bënte fushatë për Partinë Socialiste, duke shkelur rëndë Kushtetutën e vendit. Në të gjitha këto ngjarje për vendin nuk kemi parë asnjë raport të këtij këshilltari në mbrojtje të interesit qytetar, vetëm ka mashtruar opinionin publik duke thënë publikisht që kemi luftë kundër kanabisit dhe drogërave të forta, ndërkohë nga ana tjetër Shqipëria mbushej çdo ditë me drogë.
Edi Rama kërkon një ushtar të betuar dhe të përfshirë në skemën e tij kriminale, jo për interesat qytetare, por për të vazhduar me misionin e tij të trafikantit.