Zjarri i madh që u raportua se ka rënë në Korçë, ka shkrumbuar përveç dy automjeteve, edhe një pikë karburanti e cila ishte jashtë funksionit, si edhe një restorant dhe pikë bastesh në fshatin Velitërnë.
Mësohet se shkak është bërë një ngjarje aksidentale, ku sipas të dhënave drejtuesi i një kamioni, i cili udhëtonte në drejtim të kryeqytetit, pas një udhëtimi të gjatë ka përfituar nga mundësia për t’u çlodhur në hapësirën jofunksionale të karburantit. I lodhur nga rruga ai ka ndaluar kamionin në afërsi të pompave të karburantit dhe ka ndezur sistemin e ngrohjes para se të flinte, por automjeti është përfshirë nga flakët, madje edhe vetë drejtuesi ka marrë dëmtime.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, dëmtime janë shënuar edhe në ambientet e lokalit i cili funksiononte si pikë bastesh dhe restorant dasmash. Nga flakët është djegur edhe një autoveturë e cila ndodhej e parkuar në afërsi të kamionit, ndërsa dëme të shumta ka pësuar edhe karburanti ku mësohet se janë djegur pompat dhe pajisje të tjera.
Policia po heton për ngjarjen e cila dyshohet se është aksidentale.