Ekonomia po shkon drejt një rrënimi dhe po rrëshqet në një drejtim krejtësisht të rrezikshëm, në një greminë të vërtet financiare për shkak të një qeverie, e cila ka vendosur një strategji të qartë për të rrënuar ekonomikisht vendin dhe për të pasuruar veten e saj.
Deklarata është bërë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili gjatë një komunikimi me mediat.
“Shifrat janë të qarta, janë në tavolinë, janë evidente, janë kritike dhe kanë të bëjnë me borxhin publik shqiptar. Do të thotë në ç’greminë borxhesh futet ekonomia shqiptare për shkak të një qeverie të kriminalizuar dhe të bërë njësh me interesat më të errëta dhe për këto interesa dhe në funksion të këtyre interesave, ajo nuk mund të ndalet asnjë ditë duke e thelluar këtë situatë në mënyrë kritike. Borxhi publik i deklaruar sipas saj shkon 70%, ndonëse do ta shtjellojmë më pas, është edhe më i lartë se kaq, ndërsa borxhi publik i verifikuar dhe i konstatuar nga një organ kushtetues siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit është 72%. Vetëm për këtë çështje dhe vetëm për këtë moment, shqiptarët duhet të dinë që janë përpara një katastrofe ekonomike financiare të pashembullt.”
Sipas Vasilit, pasi një organ kushtetues raporton për shifra borxhi, të cilat qeveria i fsheh, këtu jemi përpara një krimi ekonomik me përmasa të frikshme, e cila nuk godet një individ të vetëm apo disa individë, por godet gjithë Shqipërinë. Zyrtari i LSI-së i ka akuzuar edhe Prokurorinë, pasi ajo duhet të vihej në alarm, përpara çdo çështje tjetër duhet të shqyrtonte këtë çështje, të nxirrte fajin, fajtorët, përgjegjësit dhe me veprimet e saj të ndihmonte në ndaljen së paku të katastrofës financiare që po projektohet.
“E vërteta është që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka deklaruar publikisht që borxhet për shkak të koncesioneve të frikshme dhe të paketës 1 miliardë euro, e cila realisht ka shkuar në masën 2 miliardë, do ta thellojë së paku me 7 apo 8% borxhin, i cili nga 64-65% që qeveria pretendon ta çojë, do të shkojë deri në masën 80%. Që do të thotë një gjunjëzim i plotë dhe një kolaps ekonomik i papërballueshëm për ekonominë shqiptare, dhe aq më keq një borxh, një katastrofë, e cila rrezikon ekonominë shqiptare për dekada të tëra me radhë për shkak të pasojave të parikuperueshme që ajo krijon.”
Përballë fakteve të mësipërme, Vasili theksoi se momenti është i tillë kritik, prandaj dhe qëndrimi është dhe do të përvijojë të jetë radikalisht shumë më i fortë se sa kaq në ditët dhe në javët që vijnë.