"Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet të kishte arrestuar brenda ditës, uzurpatorin e bashkisë së Durrësit, Vangjudh Dakon, jo vetëm prej dëshmisë publike së Avdylajt, por se lënia e Dakos në detyrë, në krye të bashkisë, shton mundësinë për prishjen e provave dhe për intimidimin e dëshmitarëve."
Kjo ishte deklarata e deputetit Endi Hasa nga selia e PD-së sot:
"Kalimi i ditëve dhe mbulimi i tyre me heshtje dhe me censurë mediatike nuk i zvogëlon përmasat e skandalit dhe krimit elektoral, ku është përfshirë Vangjush Dako, - tha Hasa. - Në Dosjen 339 ndodhen qindra faqe me përgjime që vërtetojnë përdorimin prej organizatës kriminale “Rilindja” të bandës së Avdylajve në Durrës e Shijak për blerjen e votave, në këmbim të favoreve shtetërore.
Vetë kreu i bandës Astrit Avdylaj, i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge, shpalli ortakërinë mafioze, kur pranoi publikisht se “I zgjidhte hallet me Vangjush Dakon dhe Partinë Socialiste”
Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte arrestuar brenda ditës uzurpatorin e bashkisë së Durrësit, jo vetëm prej dëshmisë publike të Avdylajt, por edhe për shkak se lënia e Dakos në krye të bashkisë së Durrësit, shton mundësitë e prishjes së provave, si dhe të intimidimit të dëshmitarëve.
Është e provuar prej përgjimeve zyrtare se Kryebashkiaku i Durrësit ka pasur komunikim me bandën e Avdylajve shumë kohë para zgjedhjeve.
Biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylaj, me nofkën Niçja, të cilit i premton një favor, e provon këtë.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, pasi ka blerë vota, bashkë me trafikantët ndërkombëtarë të drogës, komunikon sërish me Niçen për të falenderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve.
Nga përgjimet, shqiptarët kanë parë sesi banda e Avdylajve, një pjesë e të cilës është në burg për trafik ndërkombëtar droge, i kërkon Dakos të ndërhyjë për të larguar forcat speciale.
Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg!
Heshtja e Prokurorisë prej më shumë se 3 javësh, pa bërë përpjekjen më të vogël për hetim, konfirmon kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Ai po e përdor atë për prishjen e provave dhe mbulimin e skemës kriminale që “Rilindja” përdori me krimin e organizuar për të blerë pushtetin ilegjitim të Edi Ramës.
Pa arrestimin e Dakos, s’mund të flitet as për kthimin e besimit të publikut tek drejtësia dhe as të shpresohet se në vend mund të ketë zgjedhje të lira e demokratike.
Pa ndëshkuar krimin elektoral, simbolin e tij Vangjush Dako dhe dhe autorët e tjerë të këtij krimi, në Shqipëri nuk do të ketë stabilitet, nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ketë proces normal politik."