Zbardhet letra e dorëheqjes së Taulant Mukës, i cili për dy javë mbajti postin e zv.ministrit të Arsimit.
Në letrën drejtuar kryeministrit Edi Rama, përmes së cilës vë në dijeni edhe ministren e Arsimit Lindita Nikolla, Muka thotë se nuk është dakord me modelin e punës së aplikuar në ministri.
LETRA E ZBARDHUR:
I nderuar zoti kryeministër
Për arsye etike, morale e profesionale dhe të papajtueshmërisë që unë kam me modelin e punës së aplikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ju paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Ju falenderoj për besimin që më dhatë dhe ju uroj suksese në punën tuaj si Kryeministër
Me respekt
Taulant Muka”.
Taulant Mula ka qenë përballë një presioni të madh të publikut e medias pasi pranoi disa javë më parë propozimin e Ramës për t'i zënë vendin parardhësit të tij, të cilin e denoncoi për plagjiaturë, Ervin Demo.
Megjithatë, Muka u zotua se do punonte me profesionalizëm, ndërsa sot ka hequr dorë duke argumentuar se nuk pajtohet me modelin e punës së ministrisë së Arsimit dhe se e ka të pamundur ta ndryshojë këtë sistem nga brenda.