Kryedemokrati Lulzim Basha shpalosi në studion e “AKrasta” tre misionet kryesorë të opozitës. Ai bëri publike platformën qeverisëse që ofron opozita ku mes të tjerash deklaroi pastrimin e politikës nga krimi, pastrimin dhe çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe dekriminalizimin e zgjedhjeve, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të vendosin të lirë nga presionet e krimit dhe nga paratë e korrupsionit.
“Ndaj ky është një moment për të treguar vetën, secili tregon vetën e saj apo të tij. Të gjithë ata që duan ndryshimin, kanë tek PD një platformë për tu bërë pjesë e ndryshimit dhe tek unë një garanci që kjo do të jetë një parti e hapur, një parti e vlerave dhe jo e antivlerave, e pa lidhur me krimin e cila nuk do të bëjë kurrë kompromis me oligarkinë. Kjo është edhe domethënia e ligjit antimafia që kemi bërë gati, për të treguar qartë para shqiptarëve, se të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e taksapaguesve dhe me pasuritë e tyre gjatë kësaj qeverisje, por pa kufizim gjatë gjithë qeverisjeve, nga PD tashmë do të mbahen përgjegjës dhe do të jenë ata që do të japin llogari para ligjit dhe jo që do të futen e të bëjnë aferat e rradhës me qeverinë e Partisë Demokratike.
Pra, ne jemi fare të vetëdijshëm edhe për mangësitë, edhe për të metat tona gjatë kohës që kemi qeverisur dhe sot vijmë para shqiptarëve me një platformë të qartë të ndarjes nga e kaluara. Pastrimin e politikës nga krimi, pastrimin dhe çlirimin e ekonomisë nga oligarkët, pavarësisht nga emrat dhe mbiemrat, të gjithë ata që kanë pranuar të zhvasin paratë e shqiptarëve në bashkëpunim me këtë qeveri. Dhe dekriminalizimin e zgjedhjeve, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të vendosin të lirë nga presionet e krimit dhe nga paratë e korrupsionit” tha Basha.