Presidenti i Republikës, Ilir Meta në intervistën e dhënë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ka folur edhe për raportet bashkëshortore me Monika Kryemadhin, duke sqaruar edhe pyetjet nëse ndikohet ose jo në vendimet e tij nga kryetarja e LSI-së. I pyetur nga Fevziu nëse debaton ndonjëherë me të për çështje të caktuara, Meta është përgjigjur ndër të tjera se : “Sigurisht që debatojmë, por nganjëherë debati është i kotë për arsye sepse secili ka mendjen e vet pavarësisht nga debati”.
PJESE NGA INTERVISTA
BLENDI FEVZIU: Po të kthehesh në darkë në shtëpi të ankohet gruaja gjithë ditën për mënyrën si qeveriset Shqipëria do ndikohesh vetvetiu. Burrat ndikohen nga gratë.
PRESIDENTI META: Së pari, gjëja që ka ndryshuar më shumë në jetën time si President është për arsye, sepse tani nga një kontakt dhe nga një takim i vazhdueshëm me Monikën për shkak të angazhime të mëparshme në të njëjtën forcë politike apo të dy në Parlament e kështu me radhë, tani janë dy axhenda krejtësisht të ndryshme. Aq sa ju ndoshta edhe nuk do ta besonit që kishim disa javë pa qenë bashkë për drekë apo për darkë, edhe falë ambasadorit të OSBE-së u takuam një ditë që hëngrëm darkë së bashku. Kështu që nuk është se jemi në një kontakt të vazhdueshëm përveç rasteve të ditëve të festave.
BLENDI FEVZIU: Nuk po flasim për përditshmëri, por po flasim për momente të tensionuara, momente që janë delikate në politikë, ku angazhimi i LSI-së së bashku me PD-në është shumë i ndryshëm nga ai i PS-së dhe i Kryeministrit.
PRESIDENTI META: Kjo është një çështje e tyre.
BLENDI FEVZIU: Debatoni ndonjëherë për çështje për të cilat ju nuk jeni dakord me qëndrimin e saj?
PRESIDENTI META: Sigurisht që debatojmë, por nganjëherë debati është i kotë për arsye sepse secili ka mendjen e vet pavarësisht nga debati.
BLENDI FEVZIU: Dhe pas thuajse 25 vjetësh që jeni bashkë, akoma më shumë, nuk keni arritur që njëri t’i imponojë mendjen tjetrit dhe e kundërta?
PRESIDENTI META: Jo, ne e pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç është. Secili ka individualitetin e tij dhe jemi mësuar me këtë.