Rikthimi nga SHBA i vajzës së Azem Hajdarit rreth dy vjet më parë dhe përfshirja e saj në strukturat e Partisë Demokratike, si dhe marrja e mandatit të deputetit ngjalli jo pak kërshëri dhe kuriozitet asokohe. E njihnin pak, por emri i saj rëndonte shumë. Ndërkohë sot Rudina Hajdari ka bërë një tjetër lëvizje me peshë të madhe, në një ditë simbolike si 8 Dhjetori. Ajo tha se është gati të dorëzojë mandatin e deputetit që fitoi në zgjedhjet e qershorit 2017, për t’ju bashkuar protestës studentore.
“Nuk jam kthyer në Shqipëri për një post, për të qenë një deputete, por jam kthyer për të ardhmen e Shqipërisë, për vëllezërit e mi, për vajzën time, për të çuar amanetin e babait tim deri në fund. Prandaj, sheshi i demokracisë sot nuk është këtu, është tek Ministria e Arsimit dhe ne sot duhet të shkojmë sot t’i bashkohemi studentëve. Unë nuk kisha parashikuar të flisja sot por kam kënaqësinë të flas para jush, dhe sot dua t’i bëj një betim tim ati, t’iu bëj një betim të rinjve se jam gati të lë mandatin tim për t’iu bashkuar të rinjve sot për luftën e tyre”, tha Rudina Hajdari duke bërë një akt të vlerësuar nga studentët.