Erion Braçe në protestë, drejtësi, jo bullizëm

Hënë, 17 December 2018 13:34

Nga Ilir Nikolla

Ka një përpjekje të vakët në facebook për të intimiduar protestuesit, duke i bërë thirrje faktit se ata po kryejnë njëfarë bullizmi ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, kur bëjnë thirrje: “I duam tarifat sa Erion Braçe”.
Nuk është hiç bullizëm. Erion Braçe është nga fajtorët kryesorë për degjenerimin e sistemit arsimor, për shkak se është votues i Ligjit të Arsimit të Lartë, në 2015, si dhe ka mbështetur në vetë të parë buxhetet e Edi Ramës, për 6 vite rresht. Pra, kur krahasojmë Erion Braçen me tarifat, po bëjmë krahasime me njërin nga fajtorët, s’po marrim shënjestër dinjitetin e deputetit.
Bile unë them se duhet të analizojmë më mirë, se si ta zgjerojmë hartën e drejtësisë në protestën mbarëkombëtare që po zhvillohet sot para kryeministrisë. Përveç shprehjes tashmë lapidare “na çatë Edin”, s’ka pse të mos vijohet me thirrjet, psh:
I duam tarifat, aq të larta sa notat e Lindita Nikollës”,
I duam aq origjinale sa doktoraturat e Gjylametit dhe Kodhelit,
E duam shkollën bolori si Arben Ahmetaj,
Kthehemi në universitet, kur Mirela Kumbaro të lexojë libra me ne,…
Dhe të tjera akoma. Kreativiteti duhet të shpërthejë, që Lindita Nikollës t’i duken lule memet e deritanishme.
Edi Rama po përpiqet ta shuajë protestën duke e bërë atë qesharake, njësoj siç ka vite që e bën me opozitën politike.
Njëherë në jetë le të përdorim të njëjtat metoda. Lindita tashmë ka thënë se ka mbërritur ezauriment nervor, Erion Braçe ka njoftuar rrjetin se ndihet I keqtrajtuar, ndërkohë që për qeveri-bolorinë s’kemi ende një mendim përmbledhës.
Prandaj, o burra, me satirë kundër një kryeministri oriental, që s’ndalet para asgjëje.
Fillimisht satirë, pastaj, manualet kanë edhe shpjegime të tjera se si ia dalin protestat.

Modifikuar më Hënë, 17 December 2018 13:37
Login to post comments