Nga Petrit Vasili
I nderuar kryetar i Kuvendit, të nderuar kolegë deputetë, para se të hyj në fjalën time të shkurtër, në thelbin e asaj që diskutojmë sot dhe që është vërtet një nisëm parimore, besoj që duhet t’ja kursejmë të gjithë këtu së bashku, leksionet e etikës njëri-tjetrit. Ne dëgjuam këtu merakun e madh të citimit të papërshtatshëm me demek të një kënge patriotike, e cila rastësisht fillon edhe me: “o djem të Skënderbeut”. Dhe jemi dhe në vitin e Skënderbeut, po ishte një herezi e madhe, dhe njëherazi kemi dëgjuar dhe elegji për vezën, mirë shumë!!
Por këtu ka ekzistuar dhe pacipësia më e madhe në botë, që të gjithë bashkë Byroja e Kuvendit ka mbrojtur një rrugaçëri që është bërë nga kryeministri i vendit, ku ka cituar popullin e tij dhe e ka krahasuar në mënyrën më të fëlliqur dhe vulgare. Thënë e gjithë kjo, na i kurseni këto paloçollëqe të etikës në sallën e Parlamentit, mbajini për vete, jetoni me kompleksin e inferioritetit dhe të poshtërimit që ju bën kryeministri juaj. Punë e juaj, zgjedhja e juaj, ne mos na i hidhni këtu.
Mbas asaj që ka thënë kryeministri dhe mbas asaj vote të turpshme që do ti mbetet secili në të gjithë rekordet e jetës së tij që ka votuar që kjo paska qenë një sjellje e jashtëzakonshme merreni këtë dhe mbajeni për veten tuaj. Dhe mos na i bini, bëni çfarë të doni, mblidhni po të doni Byronë, dënoni si të dënoni. Kjo punë me rradhë është, nuk është ndonjë problem i madh. Ju kemi parë që edhe jargaviteshit kur keni qenë në opozitë, u shikojmë edhe tani që bëni si superiorë të mëdhenj, se keni mundësinë të shpërdoroni vota. E keni shumë merak që shkelet Kushtetuta për këngën e shkruajtur 70 vjet më parë, por nuk e keni merak që shkelet Kushtetuta se vidhen këtu brenda natës dhe kalohen dekretet dhe shkelen dhe nëpërkëmben të gjitha normat ligjore, duke e kthyer këtë Parlament në një magazinë të oligarkëve.
Megjithatë të kthehemi te nisma e ditës. Nisma e ditës është një nismë e qartë dhe parimore. O ndahemi nga kriminalizimi i politikës, ose vazhdojmë dhe bashkëjetojmë. Çfarë është nisma e opozitës? Ndarja njëherë e përgjithmonë, cilado qoftë kosto e kësaj gjëje, pasi vendi ka mbetur në vend. Besimi nga politika, sigurisht me shumë të drejtë është ulur dhe kontributi që ka dhënë mazhoranca në këtë ulje ka qenë i konsiderueshëm. Mazhoranca ka gjetur të fshihet pas Venecias. Shumë mirë.
Megjithatë unë nuk kam ndërmend të bëj komente, por do të citojë vetëm Komisionin e Venecias, se çfarë thotë. Nuk pres ndonjërin nga mazhoranca të përkthejë nga shqipja në shqip se çfarë thotë Venecias, po e them ashtu siç e kanë thënë në ligjëratë të drejtë. Në rast se nuk kanë preukupacion për këtë gjë, do të thotë që të rrinë atje ngrohtë bashkë me horrat dhe kriminelët është mënyra e tyre e jetesës. Kurse për ne, është një ndarje parimore.
Çfarë thanë ata të Komisionit të Venecias kur erdhën në Tiranë? Grupi i Ekspertëve që erdhi e preku me dorë situatën.
Fjalë për fjalë thotë: Nga takimet, shkëmbimet e mendimeve të ndryshme që patën raportuesit gjatë vizitës në Shqipëri, duket qartë se e ekziston një problem i vërtetë i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elementëve kriminalë.
Vazhdon më tutje raporti i Komisionit të Venecias në ligjëratë të drejtë. Nuk është as i opozitës, as i një njeri që të mos shqetësohen këta, se dridhen kur del ndonjë ide nga opozita. Ja ç’thotë: Çështja e kontakteve të ngushta të anëtarëve të Parlamentit, Këshillit Bashkiak ose zyrtarëve qeveritarë me krimin e organizuar, janë një problem në Shqipëri. Siç tregojnë dhe rezultatet e para të procedurës së Vettingut të gjyqësorit, ndërlidhja e institucioneve shtetërore dhe krimit të organizuar, duket të jetë shumë i lartë. Kjo pengon besimin në institucionet e shtetit dhe delegjitimon funksionimin e tyre. Nëse krimi i organizuar është duke qeverisur institucionet shtetërore ose të paktën ka një ndikim në punët e tyre, parimet e shtetit ligjor nuk mund të zbatohen në praktikë. Në një shtet të qeverisur ose të ndikuar nga krimi i organizuar, parimet e dinjitetit, barazisë apo ligjshmërisë, janë lënë mënjanë.
Çfarë konkludon Venecia?
Prapë Venecia dhe jo opozita. Të jenë shumë të qetë këta që janë këtu: Skualifikimi që anuluan një mandat zgjedhor, nuk duhet të konsiderohet kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë.
Në bazë të këtyre konsideratave shteruese që Venecia jep, këtu mund të ekzistojë edhe pacipësia dhe mund të jenë prapë kundër, s’është ndonjë problem edhe nuk ka për të qenë lajm surprizë për opozitën fare, as për shqiptarët, por është damka përfundimtare se çfarë zgjedhje kanë bërë, pra zgjedhja është të jenë njësh me ta dhe e dyta të mos i referohen më Venecias për këtë çështje, të thonë e kemi marrë këtë vendim, duam të jemi njësh me ta, koha për të dhënë hesap edhe para qytetarëve dhe historisë vjen shpejt sepse nuk ka pasur të përjetshëm. Në këtë sallë janë mbledhur edhe burra më të rëndë që kanë ikur dhe nuk mbahen mend se ku janë, këta njerëz që kanë karaktere të dobëta i bluan koha me shpejtësi, por ama këto përcaktime që Venecia i thotë qartë, edhe kur thotë mund të ndërmerret çdo lloj hapi, pra edhe të ndërpritet mandati se shëndoshet demokracia, nuk dobësohet apo zbehet janë parime të shenjta, kush ka votuar kundër tyre ka votuar për të zezën dhe jo për të bardhën. Faleminderit.