Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook mbi protestën e studentëve.
Xhixho shprehet se protesta sot është më e fuqishme se kurrë dhe se studentët kanë të drejtë për të pasur një arsim cilësor dhe kushte dinjitoze në konviktet e tyre.
“Protesta e studentëve sot më e fuqishme se kurrë.
Sepse ata kanë të drejtë për të pasur një arsim cilësor dhe kushte dinjitoze në konviktet e tyre. Sepse arsimimi është një e drejtë kushtetuese të cilën kjo qeveri jo vetëm nuk e ka prioritet, por e ka rrënuar totalisht me ligjin për arsimin e lartë dhe mos rritjen e buxhetit për arsimin në 5% të GDP siç e kishte premtuar.
Sot një student ka shumë arsye për të protestuar pasi ai e di shumë mirë që e ardhmja e tij në Shqipëri është e pasigurtë dhe po nuk reagoi sot do vuajë pasojat gjithë jetën.
Kryeministri i oligarkëve nuk ka prioritet rininë dhe të ardhmen e saj, ndaj e vetmja zgjidhje e studentëve është të marrin fatin e tyre në dorë o sot o kurrë.
Gjithë Shqipëria është me studentët pasi të gjithë duam një jetë më të mirë për fëmijët tanë në vendin tonë, jo diku tjetër”, shkruan Xhixho në facebook.