“Tani më mori polici”/ Përgjimet e Prokurorisë për dosjen Habilaj

Hënë, 07 Janar 2019 15:45

Në dosjen hetimore të çështjes Habilajt, Prokuroria për Krime të Rënda ka zbardhur disa biseda mes të pandehurve.

Në një përgjim që mban datën 6 maj 2015, të pandehurit flasin në peshkarexhën “Fatima”, në pronësi të Rosario Gulianos dhe Giuseppe Gracos.

Në dosje thuhet se peshkarexha ka ndaluar në Porto Romano dhe në të ndodhen Rosario Gulianos, Giuseppe Gracos dhe Moisi Habilaj si edhe disa burra të tjerë shqiptarë.

M.Habilaj: Saro

R.Guliano: Cfarë

M.Habilaj: Më dëgjo mirë vëlla

R.Guliano: Më thuaj

M.Habilaj: Tani që do ikësh duhet të largohesh dy milje nga këtu … nga toka … dhe pastaj duhet të ikësh dy milje nga toka … vazhdo vetëm drejt … sapo të mbarojnë dritat tona, se tani më mori në telefon polici që më sqaroi … që mos t’u afrohesh ujërave greke.

R.Guliano: Atëherë unë … më ndiq.. unë po dal që këtej..

M.Habilaj: merr djathtas

R.Guliano: të shkoj kështu

M.Habilaj: Po

Në dosjen e prokurorisë thuhet se: Nga hetimet rezultoi se për realizimin e trafikimit të lëndës narkotike, nga Shqipëria në drejtim të Italisë, kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nezar Seiti, Maridian Sulaj, Armando Sulaj, Sabaudin Celaj, Fatmir Minaj, Trigens Mezuraj, dhe disa persona të tjerë të cilët cilët kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal kanë bërë trafikimin e saj nga Shqipëria në Itali.

Për ushtrimin e aktivitetit kriminal të tyre, në fillim të kultivimit të bimëve narkotike,  dhe më pas trafikimin e saj, i pandehuri Moisi Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal, janë mbështetur, nga punonjës policie dhe zyrtarë të lartë të policisë së shtetit ku dyshohet edhe ish Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri, të cilët kanë ndikuar me mbështetje në moszbulimin e tyre gjatë kohës që ato kanë ushtruar aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Italisë. /Balkanweb/

Login to post comments