Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një bisedë miqësore me personalitete të shquara drejtuese të klubit patriotik “Bashkësia Dibrane”, një nga shoqatat më të vjetra atdhetare e kulturore në vend.
Në këtë takim morën pjesë kompozitori i mirënjohur dhe “Nderi i Kombit”, z.Agim Krajka, Mjeshtri i Madh, z.Bujar Kapexhiu si dhe intelektualët z.Tim Xhilaga, z.Tofik Jegen, znj.Manjola Perja, z.Saimir Shatku dhe z.Faruk Kaba.
Presidenti Meta duke çmuar lart komunitetin dibran, cilësitë e spikatura njerëzore, atdhedashurinë dhe kontributin e madh të brezave të tërë të kësaj treve për Pavarësinë dhe forcimin e identitetit kombëtar, vlerësoi rolin e kësaj shoqate për ruajtjen e promovimin e vlerave të trashëgimisë së pasur historike e kulturore të Dibrës.
“Duke ju inkurajuar në misionin tuaj, vlerësoj traditën e jashtëzakonshme të klubit të njohur patriotik ‘Bashkësia Dibrane’, që për më shumë se një shekull ka kryer një sërë veprimtarish në mbrojtje të atdheut, promovimit të traditave, vlerave njerëzore, historike e etnofolklorike të kësaj treve, por edhe kontributin e çmuar të shumë figurave kombëtare me prejardhje nga Dibra, të cilët aq shumë kanë dhënë për Shqipërinë e çështjen shqiptare në përgjithësi”, – u shpreh Presidenti Meta.
“Ne i kemi borxh jo vetëm Dibrës por Shqipërisë, që trashëgiminë e vyer historike e kulturore që na kanë lënë të parët tanë, ta mbrojmë, ta promovojmë dhe ta pasurojmë më tej, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të duan vendlindjen e rrënjët e tyre, të mos mendojnë braktisjen por të ndërtojnë këtu një të ardhme të sigurtë, duke qenë krenarë për përkatësinë e tyre si shqiptarë”, – u shpreh Presidenti Meta.
Përfaqësuesit e shoqatës “Bashkësia Dibrane” pasi e njohën Kreun e Shtetit me aktivitetin e tyre patriotik e kulturor, e falënderuan për promovimin e vlerave kombëtare dhe në emër të komunitetit dibran i dorëzuan një kopje të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë të ruajtur nga arkiva familjare e Faik Shatkut, ish-ministër i Arsimit në vitet ‘30.