Nga Ilir Nikolla
Rrallë ka patur një konsensus aq të gjerë për një listë propozimesh gjithëpërfshirëse për në Këshillin Kombëtar të një partie, si propozimet që kryetari i PD Lulzim Basha bëri në Kuvendin e 15 dhjetorit. Ripropozimi en-block i gjithë Këshillit të vjetër Kombëtar, si dhe një listë e gjerë propozimesh nga bota akademike, përfaqësues të grupeve të revoltës antiqeveritare në vend si dhe eksponentë të tjerë të rikthyer në familjen politike që u takon garantuan një Këshill të ri Kombëtar, që gëzon një mbështetje të gjerë publike dhe që ofron garancitë se do të shërbejë si një forum që do udhëheqë tranzicionin e vështirë për kthimin e legjitimitetit votës së lirë dhe institucioneve të pavarura në vend.
Prandaj, ishte e pritshme që vëmendja e publikut të mos binte edhe në dy vendimet e para që mori ky Këshill Kombëtar: vendimit që PD të vihet në krye të protestave, si dhe vendimit për zgjedhjen e kryesisë së re dhe sekretariatit të partisë, me fjalë të tjera ekipit që do merret me përditshmërinë e jetësimit të këtij aksioni.
Duhet thënë qysh në fillim se procesi shkëlqeu për nga transparenca dhe risitë. Propozimet e kryetarit të partisë u bënë publike një ditë përpara, duke thyer traditën shumëvjeçare të kësaj praktike në partitë tona politike, por edhe duke bërë kontrast me bunkerin e anës së tjetër, me “Rilindjen” e Edi Ramës, ku edhe emërimet, edhe shkarkimet bëhen me regji televizive, por pa pasur dijeni as protagonistët e as të interesuarit e tjerë, njësoj si të ishim në një “Big Brodher” ku rëndësi nuk ka emri i ministrit, por a u vunë re lotë në sytë e të shkarkuarës. Lista s’pati propozime shtesë sipas prerogativave të statutit, çka flet për aspektin gjithëpërfshirës së saj.
Risia më e madhe ishte zbatimi i parimit të ndarjes se funksioneve të deputetëve nga sekretariati organizativ i partisë. Ky vendim voluntarist nuk është përjashtues, përkundrazi, garanton një dublim të përpjekjeve për arritjen e qëllimit, duke sjellë burime të reja në sekretariat, por edhe duke ndihmuar me këtë sekretariat betejën legjislative dhe politike të deputetëve, në parlament apo edhe nëpër qarqe. Sekretariati ka nota të forta të detyrave organizative e ekzekutive në parti, duke ia lënë kryesisë së re detyrën e përgatitjes së një alternative të fortë qeverisëse dhe përzgjedhjes së një ekipi të zotin dhe me dinjitet për të udhëhequr zbatimin e kësaj alterantive.
Shfaqja e ushtrimit demokratik, përmes numërimit të hapur të votave, garantoi jo vetëm integritetin e procesit, por prodhoi edhe një klimë të shëndetshme konkurrence e mirëbesimi mes konkurrentëve, çka ka shmangur edhe çfarëdolloj kostoje që mund të prodhohet nga një garë e vërtetë. Duke parë emrat e rinj të anëtarëve të kryesisë, ata janë 100 % figura të njohura të politikës së djathtë dhe shërbestarë të forumeve të PD ndër vite. Ata që nuk shohin traun në syrin e tyre, por qëmtojnë qimen në vezën e tjetrit s’po dinë si ta sulmojnë udhëheqjen e re politike që doli nga Këshilli Kombëtar i PD, prandaj po mundohen ta barabisin me procesin e zgjedhjes së ministrave të rinj të Ramës; pra, sipas teorisë, të baltosim gjithçka, që të mendohet se jemi të gjithë njësoj.
Kryesia e re e PD nuk ka asnjë emër që mund të konsiderohet eksperiment apo aventurë, siç janë ministrat e rinj të Ramës, pasi vetë mekanizmi i përzgjedhjes së tyre nuk mund ta lejonte një propozim-aventurë të mbërrinte të merrte konsensusin e rreth 350 anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Megjithëse vetë numërimi i votave u krye në publik e para kamerave televizive, kryesia e re sërish vihet re se respekton të gjitha grupimet dhe shtresat që tradicionalisht kanë mbështetur PD-në dhe opozitën. Në listë gjen të gërshetuar si dinjitarë të qeverive të së djathtës (5 ish-ministra), përfaqësues nga shumica e qarqeve të Shqipërisë, 3 përfaqësues nga sekretariati i vjetër i partisë, si dhe 6 përfaqësues nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë. Është mrekullia që vjen nga zbatimi i mekanizmit të demokracisë. Ajo s’ka nevojë të pilotohet nga lart dhe funksionon vetvetiu. Prandaj edhe zyrtarisht PD i kujtoi mbrëmë bunkerit që ka për kundërshtar politik se Kryetari Basha nuk ishte në zyrë dhe e mësoi vendimin e Kryesisë nga televizioni.
Në ditën menjëherë pas shpalljes së listës mund të gjykohet veç për procesin, synimet dhe të shkuarën e fituesve. Për të nesërmen, duhet të presim aksionin politik të kryesisë së re. Por një mesazh është dhënë qysh sot. Deputetët janë edhe më të lirë të jenë të pranishëm në qarqet e tyre. Sfida e zgjedhjeve vendore është pranë, por më pranë akoma është stina e protestave masive qytetare. Edhe matja e temperaturës tek kundërshtari është njëfarë sinjali. Kryesia e re është pritur shumë keq dhe gjahtarët e diversionit po shpëndahen në terren në gjetje të kontestuesve, por deri më tani s’po qëmtojnë asnjë për be. Është mrekullia e ushtrimit të demokracisë, por edhe sinjali që konkurrenca sjell zgjerimin e mbështetjes popullore dhe kalcifikimi i strukturave, si në bunkerin përballë, parathotë se Rama nuk shqetësohet se do humbasë, por shqetësohet që kur të humbasë, të ketë rreth vetes vetëm të inkriminuar dhe servilë që s’bëzajnë.