Deputeti i PS kundër shkarkimit të Bushatit, miratohen detyrat për ish-ministrat

Hënë, 21 Janar 2019 19:28

Me 77 vota pro dhe një abstenim, deputetët e mazhorancës miratuan dekretin e Presidentit për shkarkimin e Ditmir Bushatit si kryediplomat dhe me 78 vota pro miratuan emërimin e kryeministrit Edi Rama. Në votimin për shkarkimin e Bushatit, ligjvënësi socialist që votoi abstenim ishte Spartak Braho.

Në seancën e sotme, të parën për këtë sesion të ri parlamentar, mazhoranca votoi edhe detyrat e reja të ish-ministrave, të shkarkuar nga Rama. Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj është votuar në krye të komisionit të Ekonomisë. Në këtë post, zëvendëson Erjon Braçen, që tanimë ka marrë detyrën e zëvendëskryeministrit.

Ish-ministri Transporteve dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri do të jetë pjesë e komisionit të ligjeve. Ish-drejtuesja e ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro do jetë anëtarë e komisionin parlamentar të integrimit.

Ish-zëvendëskryeministrja Senida Mesi do jetë po ashtu në komisionin e ekonomisë bashkë me Arben Ahmetajn, por si anëtare.

Ish-kryediplomati Ditmir Bushati do jetë pjesë e komisionit parlamentar të politikë së jashtme. Ndërsa dy ish ministret e tjera, ajo e Arsimit Lindita Nikolla dhe ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro, do jenë pjesë e komisionit për edukimin dhe informimin publik.

Projektvendimi ‘Për disa ndryshime në vendimin nr. 90/2017 ‘Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit’, për detyrat e reja të ish-ministrave, u miratua me 79 vota pro.

Login to post comments