Ish ministri socialist i Financave, Arben Malaj, komenton situatën në Partinë Socialiste, ministrat e rinj, Edi Ramën dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.
Duke u ndalur te ky i fundit, Malaj është treguar i ashpër teksa e ka cilësuar si “arrogant” dhe “çnjerëzor”, bazuar në disa prej politikave të tij në krye të Bashkisë.
Në një intervistë në Report TV përballë gazetarit Ilir Babaramo, Malaj veçoi numrin e madh të gjobave që vendosin bashkiakët, projektin te “Astiri” për shembjen e dhjetra banesave dhe sekuestrimet e mallrave të shitësve ambulantë.
Pjesë nga deklarata:
Është arrogant. E shoh te numri i gjobave, te sjellja çnerëzore e Policisë Bashkiake që i merr ato perimet fshatarëve që i kanë mbjellë me mund. Te Astiri, ku është parë kjo që në mes të dimrit ti ndërmerr këtë që i nxjerr në rrugë? Këto janë pasoja psikologjike që ti lë te prindërit dhe trashëgohen te fëmijët.
Është bërë një debat i madh. Çfarë qëndrimi do të mbajnë për ndërtesat informale në Shqipëri. Varianti i parë ishte prishje shtëpish dhe urbanizimi i infrastukturës. Kosto ishte shumë e madhe, e dyta që ishte shqetësuese, filluan ata të vegjlit në administratë që bëjnë korrupsion, filluan të kërkojnë lekë “ne do ta kalojmë” e kështu. Ndaj ne morëm atë vendimin. Në këtë aspekt është çnjerëzore, që të rrish në zyrë dhe të shikosh që qoftë edhe 100 banorë protestojnë natë e ditë. Kur je çnjerëzor je dhe i korruptuar.