Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Në një postim në Facebook Presidenti Meta deklaron se në këtë takim pati një bisedë të hapur mbi shqetësimet dhe nevojat që kanë shqiptarët atje.
“Kënaqësi të zhvilloja sot një takim të ngrohtë e vëllazëror me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, me përfaqësuesit e të cilit patëm një bisedë të hapur mbi shqetësimet dhe nevojat që kanë.
I ftova që pavarësisht dallimeve politike të bashkëpunojnë më ngushtë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe të forcimit të pozitave të tyre, për t’i shfrytëzuar plotësisht hapësirat që janë krijuar nga anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe si një vend që po përparon me sukses në negociatat për anëtarësim në BE.
Vetëm në këtë mënyrë këto troje nuk do braktisen nga shqiptarët, sidomos nga të rinjtë, që me mundësitë e reja meritojnë të jetojnë aty dhe të kenë një të ardhme më të mirë”, shkruan Presidenti Meta në Facebook.