Korporata e Investimeve, Rama po u jep pronat publike oligarkëve

Diel, 27 Janar 2019 20:57

Me një klimë biznesi të nderë dhe të përkeqësuar duke u renditur të fundit në rajon nga Doing Business (raport i përvitshëm i Bankës Botërore), veçanërisht për monopolet dhe konkurrencën e pandershme, nivelin e informalitetit dhe tenderat e dyshimtë e jotransaprent; qeveria pasi arnon ligjin për koncensionet, vendos ta plotësojë paralelisht me një të dytë duke krijuar Korporatën e Investimeve Shqiptare.

Korporata që nga qeveria konsiderohet si inovacion, krijohet si shoqëri tregtare, e organizuar në formën e një shoqërie aksionere, e cila do të marrë në pronësi për të menaxhuar dhe për të përdorur për investime, të gjitha pronat shtetërore dhe publike të vendit.

Objekti i veprimtarisë së Korporatës, siç citohet në relacionin shpjegues të projektligjit, është përmirësimi i menaxhimit të pronës publike, krijimi i pronave të reja, vënia në përdorim me eficiencë të pronave, përgatitja dhe zbatimi i projekteve të investimit, dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Pra, projektligji parashikon kalimin e pronës publike tek privatët për investime të ndryshme, por ajo që bie në sy dhe është shqetësuese, kalimi i pronave nuk kalon përmes procedurës së Prokurimit Publik.

Neni 12 i projektligjit citon se “Korporata përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik. Procedurat dhe rregullat e prokurimit të veçantë sipas kësaj pike, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit.” Në të njëjtën kohë korporata parashikohet të jetë në “pronësi” të qeverisë, e cila vendos se kujt do t’ia kalojë aksh pronë. Neni 13 i projektligjit përcakton organet drejtuese të Korporatës;1. Asambleja e Përgjithshme; 2. Këshilli Mbikëqyrës; 3. Drejtori Ekzekutiv; 4. Bordi Këshillimor. Neni 15 parashikon që Këshilli Mbikëqyrës të përbëhet nga pesë anëtarë; një anëtar është përfaqësues i institucioneve qendrore dhe katër janë përfaqësues nga biznesi dhe fusha akademike.

Mandej projektligji parashikon lejimin e Koporatës të marrë kredi nga çdo lloj institucioni financiar, pa pasur nevojë për miratim nga askush. Si garanci për kreditë që do të merren, Korporata, mund të lërë pronat që ka në zotërim dhe menaxhim. Nëse ajo humbet aftësinë paguese për huatë e marra, rrezikon të humbë garancinë që në këtë rast është prona publike.

Pra, nga shfuqizimi i ofertës së pakërkuar për rrugët, qeveria vendos me ligj të kërkojë vetë biznese që t’u japë pronat publike.

Çfarë mendojnë ekspertët?

Në mënyrën se si korporata është menduar të funksionojë, ekspertët janë katërcipërisht kundër, duke e konsideruar një institucion që do t’u japë pronat publike oligarkëve dhe klientëve të qeverisë.

Ilir Hysa, ekspert i Moody’s, e përkufizon krijimin e Korporatës së Investimeve si sajesë e cila të krijon më shumë skepticizëm sesa shpresë.

 “Në sytë e qytetarëve të gjendur në rrethanat rropatëse të Shqipërisë, krijimi i këtij institucioni do të përbënte një hallkë të re burokratike shtetërore, me të cilat njerëzit janë lodhur duke financuar”, thotë Hysa për Gazetën “Si”

Sipas projektiligjit, korporata do të ketë një asamble të përgjithshme, një këshill mbikëqyrës, një drejtor ekzekutiv dhe një bord këshillimor. “Kush do t’i paguajë rrogat e majme të këtyre njerëzve?” ngre ai pyetjet duke sqaruar se, “modele të tilla ekzistojnë në botë dhe duket se përçapja e qeverisë është krijimi i një modeli si ai që funksionon në Afrikën e Jugut që nga viti 1911. Çështja është se organizmat publikë të investimeve janë zakonisht produktivë në shoqëri (jo domosdoshmërisht të zhvilluara) me një sistem të konsoliduar financiar, qeverisje të besueshme dhe institucione shtetërore funksionale, elementë që Shqipërisë i mungojnë.”

Hysa vijon të ngrejë sërish pyetje në lidhje me funksionimin e Korporatës. “Për më tepër, nëse korporata e investimeve bëhet realitet, cilat do të jenë burimet publike të investimeve? Apo meqë fondet fillestare do origjinojnë nga buxheti i shtetit, a nuk do të çojë kjo në thellimin e borxhit që do t’u lihet brezave? A nuk është alarmant fakti që ky organizëm është i autorizuar të marrë kredi në emër të taksapaguesve shqiptarë? Borxhi publik është tashmë mbi 70%, pa përfshirë konçesionet/PPP-të. Apo meqë Ministri i Ekonomisë është autoriteti publik që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Korporatës, ai individ do të shkurtojë organikën e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, meqë sektori i investimeve aty nuk ka arsye pse të mbetet pjesë e institucionit? Apo do të ketë shkurtime tek Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes?”

Për ekspertin e Moody’s, kjo nismë nuk shënon ndonjë hap përpara në drejtimin e sinqeritetit dhe transaprencës që kërkon qytetari. “Populli thotë ‘ujku’, ndërsa zonjat e zotërinjtë sajues të Korporatës thonë ‘gjurmët’. Sikurse edhe nisma të tjera më parë, kjo korporatë dështon që në letër, pa filluar nga puna, të kthejë besimin e humbur të qytetarit të rropatur shqiptar. Ai qytetar i cili është tashmë i bindur se në Shqipëri njerëzit me pushtet vjedhin jo vetëm pasurinë shtetërore (dhe jo ‘shtetërore’ siç thonë ata që kanë shkruajtur projektligjin) por edhe atë private. I mbytur nga helmi i trishtimit, nuk mbetet gjë tjetër për të ziun qytetar përveç se ose të vuajë në heshtje, ose të largohet nga vendlindja”, shprehet Hysa.

Ai gjykon se qeveria me krijimin e kësaj Korporate, ka humbur një mundësi të mirë për ta bërë Korporatën një institucion të besueshëm e të dëshirueshëm për qytetarët. Për shembull, mendon ai, në nenin 7 duhej thënë qartazi se forumet drejtuese të korporatës do të punojnë ngushtësisht më Prokurinë e Përgjishme për të transferuar pronat shtetërore të përvetësuara padrejtësisht gjatë tranzicionit nga individë të veshur me pushtet. Po ashtu, sipas tij, e njëjta klauzolë mund të shtohej në nenin 17, i cili lë të kuptohet se Korporata do të ketë kompetenca të transferojë prona publike.

Nëse do të bënte një gjë të tillë, thotë eksperti Hysa, Korporata do të lehtësonte zgjidhjen deri diku edhe të çështjes së financimit, të diskutuar në nenin 4. “Përndryshe, korporata shpejt do të perceptohet si shtëpia e re e oligarkëve të Tiranës.”

“Për korporatën, ka vetëm një skenar në të cilin ajo mund të bëhet e suksesshme: Nëse ajo drejtohet nga profesionistë të ndershëm e të përkushtuar. Por të kërkosh një gjë të tillë në moçalin e korrupsionit në Tiranë, do të konsiderohej utopi”- Hysa

“Pse i duhet Korporata Publike e Investimeve Shqipërisë? A nuk u bindën shqiptarët se tregu i lirë, jo shteti, e inkurajon iniciativën e lirë? A është ky truku i radhës për ta bërë qeverinë të duket e sukseshme? Qeverisjet e sukseshme bëhen të tilla jo nga gjëra të tilla, por sepse i rezistojnë tundimit për të futur hundët aty ku nuk duhet. Sa për Korporatën, ka vetëm një skenar në të cilin ajo mund të bëhet e suksesshme: Nëse ajo drejtohet nga profesionistë të ndershëm e të përkushtuar. Por të kërkosh një gjë të tillë në moçalin e korrupsionit në Tiranë do të konsiderohej utopi”, analizon Hysa duke shtuar se, “nëse i referohemi periudhës së gjatë të tranzicionit, njëri nga faktet më të pakontestueshëm që kemi mësuar, është dështimi i sektorit publik dhe institucioneve shtetërore dhe lulëzimi i atij privat, ndonëse në kushte të vështira. Atëhere, pse insistojmë në diçka që nuk ka funksionuar dhe ka gjasa të dështojë sërisht?!

I të njëjtit mendim është edhe Zef Preçi, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Preçi e shikon krijimin e kësaj Korporate në kundërshtim me ligjin dhe që bie ndesh me Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit.

“Nga pikëpamja kushtetuese është Parlamenti përgjegjës për administrimin e pronave publike dhe Qeveria e mandatuar prej tij. Qeveria nuk është pronare, por udhëzuese e përkohshme e menaxhimit të këtyre pronave. Por pronar është sovrani, Kuvendi. Çfarëdo delegimi “en-block” është i pambështetur në ligj sepse zhvesh ekzekutivin nga funksioni dhe kompetencat për të cilin është mandatuar”, shpjegon eksperti Preçi.

“Është shumë e diskutueshme përmbajtja, sa u takon të drejtave që i ofrohen kësaj agjencie dhe statusit të paqartë mbi mbulimin e kompetencave me institucionet e tjera që menaxhojnë asetet publike dhe fondet publike në tërësi; krijimit të një avantazhi konkurrues të padrejtë sa i takon projekteve dhe nga ana tjetër tërheqjes apo ushtrimit të kompetencave që në thelb janë decentralizuar, që lidhen me pushtetin vendor, etj. Pra, në thelb e shoh si një eksperiment të paqartë dhe jam skeptik mbi dobinë që ekonomia shqiptare do të ketë nga krijimi i kësaj agjencie”, shprehet Preçi.

Ai thotë se ky është një model “sui generis” që i tillë nuk gjendet në asnjë vend të botës. “Bota ka, por është “sui generis” nga pikëpamja e fokusit. Ka Gjermania, por promovon investimet gjermane jashtë, përmes instrumenteve të tregut financiar dhe korporata është në varësi të Bankës Qendrore. Ka Kina apo edhe Rusia. Janë mekanizma financiare. Sepse lidhet me tregun e kapitaleve, me instrumente financiare që gjenerojnë burime shtesë për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Ky i yni, është një shartim që nuk e gjen në asnjë vend të botës dhe një përpjekje ndoshta e oligarkëve për të marrë mbi vete asete nga prona publike, qoftë edhe asete fizike”, sqaron Preçi.

“Ky projektligj përgatit terrenin për diçka më madhore. Si refleksion të presionit të oligarkëve mbi vendimmarrjen e ekzekutivit. E shoh si deformim, jo si ligj që përshpejton zhvillimin” – Preçi

Ai mendon se ka një problem madhor në lidhje me decentralizimin, pasi shteti ynë ka ecur përpara me reformat decentralizuese, pjesë e tyre janë edhe asete të rëndësishme që janë përcjellë në pushtetin lokal.

Krijimin e Korporatës së Investimeve, eksperti Preçi e sheh gjithashtu të lidhur edhe me ligjin e pronave, i cili i jep qeverisë të drejtë t’ua marrë pronarëve për t’ua vënë në dispozicion invesitorëve – sipas Preçit – klientëve të saj.

“Ky projektligj përgatit terrenin për diçka më madhore. Si refleksion të presionit të oligarkëve mbi vendimmarrjen e ekzekutivit. E shoh si deformim, jo si ligj që përshpejton zhvillimin”, thotë ai.

Preçi gjykon se Shqipëria ka dështuar në thithjen e investimeve të huaja për shumë arsye institucionale, korrupsioni. Dhe mbi të gjitha ka dështuar puna e AIDA-s, agjencisë përgjegjëse, e cila sipas Preçit ka përfunduar duke shpërndarë fletëpalosje dhe duke punësuar disa militantë.

 “Kjo agjenci nuk ka asnjë kompetencë në lidhje me zhvillimin e bizneseve të huaja. Kompetencat i kanë disa komitete që nuk i njeh askush. Komitete “ad hock” që marrin vendime të rëndësishme në favor të klientëve të qeverisë”, shprehet Preçi.

Deri në korrik të 2019-ës investitorët apo oligarkët (siç i quajnë ekspertët që ne pyetëm), kanë kohë të ofrojnë projekte në mënyrë të pakërkuar. Dhe ndërkaq qeveria gatit Korporatën, e cila jo vetëm nuk ka nevojë që sipërmarrësit, apo klientët e saj (po sipas ekspertëve) t’i ofrohen, por tashmë do t’ua ofrojë vetë gjithçka.

Login to post comments