Gjashtë vetitë e Liderit të ri që po lind në Partinë Socialiste, Ditmir Bushatit

Tuesday, 29 Janar 2019 09:59

Ditmir Bushati, ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë për 5 vite, është tashmë një figurë e njohur ndërkombëtare dhe me kredibilitet në të majtën shqiptare. E bëri të tillë posti ministror, por kryesisht karakteri dhe vizioni i tij europian.

U shkarkua padrejtësisht dhe mungesën e tij do t’ja ndjejë qeveria dhe vendi në muajt që po vijnë furishëm, ku Shqipëria ka negociatat e pambyllura me BE si dhe merr kryesimin e OSBE, organizata më e madhe dhe serioze në Botë.

Ditmir Bushati ishte në qeveri me Edi Ramën, ndërkohë që qeverisja u shpartallua nga korrupsioni, nepotizmi dhe kanabisi, por në asnjë rast nuk ka patur akuza ndaj ish-ministrit Ditmir Bushati. Jeta e tij pesëvjeçare politike ishte sa në një avion në tjetrin, ku pothuaj 2/3 e muajit i kalonte në ajër, duke punuar për Shqipërinë. Natyrisht për PS-në dhe kryeministrin, por ministri jashtëm përfaqëson Shqipërinë e jo një parti kur flet nëpër botë.

Dhe e bëri mirë detyrën. E hoqën nga detyra se lojërat e frikshme politike që po fryjnë në Ballkan nuk e donin nëpër këmbë një ministër atdhetar, patriot dhe krejtësisht europian në mendime e veprime.

Në PS kanë filluar tashmë lëvizjet, klanet po grupohen, baza socialiste ndjen se është tradhtuar në ideale, por edhe në premtimet për një jetë më të mirë. Largimi i disa emrave VIP dhe thellësisht socialist nga qeveria, edhe si Ditmir Bushati, kanë sjellë rritje të pakënaqësisë në grupin parlamentar të PS.

Gramoz Ruçi si një “shtyllë kurrizore” historike e PS-së ka filluar të ndjejë pleqërinë dhe nuk mban më si “shtyllë”; Fatmir Xhafa si një prej ikonave socialiste nuk duket shumë aktiv, ndonëse mbetet një “amerikan” i vertetë; Pandeli Majko, dy herë ish-kryeministër socialist në kohë krizash të mëdha mes të majtëve rri vetëm me kostum në krah për kryeministër, duke shikuar pjerrtas rënien e Edi Ramës, por nuk po motivon. Socialisti Erjon Braçe u zhyt në rënien e pashmangshme të qeverisë dhe nuk e kap gjatësinë e valëve të popullore antisistem dhe antiqeveri.

Ndërsa Ditmir Bushati po lëviz. Ka staturë, ka grimë politike, tharm të majtë që në gen dhe mbetet një shpresë për të majtën shqiptare. Përreth tij po grupohen në grupin parlamentar të PS-së, e jo vetëm.

Ja 6 vetitë e Ditmir Bushatit për nesër si kryeministri “hije” i PS-së:

E para mbetet europianist në themel dhe i vendosur. Ka vite, edhe kur ishte në opozitë, që punoi për Integrimin e vendit në BE.

E dyta, i pakorruptuar.

E treta, është nga Shkodra. Asnjëherë nuk ka patur kryeministër nga Shkodra.

E katërta, i vetmi që mund të bashkojë thellësisht të majtën shqiptare.

E pesta, i bëri rezistencë të hapur projektit famëkeq Thaçi-Vuçiç për copëtimin e Kosovës, ku dhe e pësoi për këtë qëndrim.

E gjashta, mbetet një antiErdogan i hapur.

Nuk janë pak këto veti! Një Lider kështu rritet dhe bëhet gati për të nxjerrë nga qorrsosaku një forcë politike, e cila po shkon turravrap drejt humnerës.

Po vjen edhe 16 shkurti!

/Koha Jonë/

Login to post comments