Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bahrejnit, Dr. Ebrahim Yusuf Al-Abdullah.
Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe nënvizoi nevojën e konkretizimit dhe intensifikimit të tyre.
Duke u ndalur tek mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Meta nënvizoi se palët mund e duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur dhe lehtësuar kontaktet mes komuniteteve të biznesit dhe agjencive të specializuara të të dy vendeve.
“Heqja e menjëhershme e vizave, në mënyrë reciproke midis dy vendeve, është domosdoshmëri për të intensifikuar bashkëpunimin në të gjitha fushat, sidomos në ekonomi e turizëm”, – nënvizoi Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vendosur që Bahreini i ka dhënë Kosovës dhe integrimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe mbështetjen reciproke të kandidaturave si në Këshillin e Sigurimit të OKB, ashtu dhe në forumet e tjera të organizatës.