Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka përshkuar në këmbë rrugët e Pogradecit dhe ka ndalur dyqan më dyqan. Ka përshëndetur tregtarët, qytetarët, gjimnazistët që ka ndeshur rrugës dhe i ka pyetur si i kanë hallet në familje.
“Ke kohë të ulesh e të pimë kafe? Të flasim shtruar”, i tha një burrë ulur në një kafe të vogël. “Nuk kam kohë, se më presin, i tha Basha, por të bashkohemi në Tiranë jo me kafen e dëshpërimit përpara. Më 16 shkurt në Tiranë”.
Pasi ka ecur disa metra më tej, Basha ka shpërthyer në gaz kur përpara i kanë dalë befas disa të rinj me pankarta në duar. Por, ndryshe nga pankartat e zakonshme me mesazhe politike, të gjitha ishin karikatura të kësaj qeverisjeje.
Pas këtij takimi, që u bë i hareshëm, kreu i opozitës ka ndalur dhe ka marrë fjalën me një thirrje të fortë për protestë më 16 shkurt në Tiranë përpara kryeministrisë.