Zbulohen detaje të protestës së opozitës më 16 shkurt. Deputeti i LSI Endrit Braimllari deklaron se masa e protestueseve do qëndrojnë pa limit në bulevard. Madje sipas tij, do mbajë të rrethuar kryeministrinë deri në largimin e Edi Ramës nga detyra e kryeministrit.
I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku bashkë me përfaqësues të PD, deputeti Braimllari tha se janë marrë masa që një pjesë e madhe e protestueseve të mos largohen pas fjalimeve, por të qëndrojnë te kryeministria për shumë ditë deri sa kryeministri të largohet nga detyra.
“Vetëm një qeveri tranzitore me një kryeministër tjetër do të jetë kushti që protesta të përfundojë. Nuk bëhet fjalë të ikë Rama dhe të vijë Basha, por të garantohet një proces zgjedhor i drejtë. Në këtë mënyrë një person brenda PS por pa cilësitë e Ramës që ne besojmë, përshembull është Pandeli Majko, i cili mund të garantojë zgjedhje brenda standarteve” tha Braimllari.
Pandeli Majko ishte i ftuar në Mëngjezin e Lutjeve te Presidentit Amerikan Trump, ndërkohë që kryeministrin Rama nuk e ftuan amerikanët. Më pas Pandeli Majko ishte i ftuar special në “Zëri Amerikës”, ku edhe kritikoi hapur kryeministrin Rama për fyerjet dhe etikimet e Ramës ndaj “Zëri Amerikës”.
Pandeli Majko mësohet se ka zhvilluar edhe takime sekrete në Uashington, ndonëse nuk dihet saktësisht se cila ka qenë tema e bisedimeve. Por dihet se Majko njihet si politikan korrekt që nuk përzihet me krimin e mafian dhe nuk është vegël e oligarkëve shqiptarë. Ai ka qenë dy herë ish-kryeministër i socialistëve dhe sa herë ka patur kriza të forta në PS apo në vend, Majko ishte si një “balsam” që shëron konfliktet politike dhe përplasjet civile. Natyrisht Majko është socialist dhe nuk bën kurrë pazar me opozitën. Nga ana e saj opozita mbetet e vendosur që me kryeministër Edi Ramën nuk futen në zgjedhje dhe se populli do ta rrethojë ditë-natë kryeministrinë duke mos e lejuar atë futet në zyrë.
Forcat kryesore rinore opozitare si FRD dhe LRI janë përgatitur për përballje finale me kryeministrin ditën e shtunë.