Politiko.al ka zbardhur një artikull të përbashkët të Gent Cakajt, ‘de facto’ ministër i Jashtëm i Shqipërisë, dhe studiuesit Gëzim Krasniqi, me titull “Roli i minoriteteve në politikën e paqëndrueshme serbo-shqiptare”. Artikulli është pjesë e librit “Kosovo and Serbia: Contested Options and Shared Consequences”, që është publikuar në vitin 2016 nga Universiteti i Pitsburgut në Pensilvani të SHBA-së.
Artikulli i Cakajt dhe Krasniqit trajton historikun e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe si kanë ndryshuar raportet midis kombeve në periudha të ndryshme.
Që kur i janë deleguar kompetencat për të drejtuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka shmangur çdo komunikim me mediat dhe gazetarët, çka e ka bërë të vështirë të kuptohet qëndrimi që mban Tirana zyrtare sa i përket diskutimeve të fundit për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Por heshtja e Qeverisë dhe e kryeministrit Edi Rama është interpretuar, edhe nga mediat e huaja, si mbështetje për planin e presidentit Hashim Thaçi për ndryshim kufijsh, i kundërshtuar ashpër nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Gjithsesi, pjesë të këtij artikulli na ndihmojnë që të kuptojmë qasjen që Gent Cakaj ka patur mbi këtë çështje përpara se të merrte drejtimin e diplomacisë shqiptare.
Për t’u veçuar është momenti kur dy autorët theksojnë se Serbia, duke sfiduar shtetësinë e Kosovës, mban të hapur mundësinë e ndryshimit të kufijve. Sipas Cakajt dhe Krasniqit, këto ndryshime do të ndikonin padyshim në Bosnje-Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut.
“Duke sfiduar shtetësinë e Kosovës brenda dhe jashtë, Serbia ushqen ambiciet territoriale dhe parashikimet e nacionalistëve të ndryshëm në rajon, si dhe mban hapur mundësinë e ndryshimeve kufitare. Sigurisht kjo pengon integrimin e serbëve në sistemin dhe shoqërinë kosovare, forcon imazhin e serbëve si kërcënim për sigurinë ndaj projektit të shtetit kosovar në sy të shqiptarëve të Kosovës, dhe në të njëjtën kohë i mban të gjalla ambiciet e shqiptarëve në Serbinë jugore për t’u bashkuar me Kosovën. Pa dyshim, ndryshimet kufitare mund të ndikojnë edhe në Bosnje dhe Maqedoni”, shkruante Cakaj në 2016-ën, aktualisht zv/ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Ky qëndrim i Cakajt në 2016-ën i jep të drejtë sot kundërshtarëve të shumtë të idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilët theksojnë se ndryshimi i kufijve do të destabilizonte të gjithë rajonin.
Pozicionimi i Gent Cakajt bëhet më i qartë kur flet për nevojën e përcaktimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë.
“Çështja e pakicave do të vazhdojë të qëndrojë në zemër të marrëdhënieve serbo-shqiptare për sa kohë që shtet-ndërtimi i Kosovës do të kontestohet dhe kufijtë do të jenë të papërcaktuar… Për aq kohë sa kufijtë mbeten të kontestuara dhe shtetet vazhdojnë të synojnë homogjenitetin etnik, konsideratat territoriale do të jenë më të mëdha se mirëqenia e qytetarëve, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi”, shkruhet në artikullin e siguruar nga Politiko.al.
Në këtë pjesë të artikullit, Cakaj dhe Krasniqi nuk favorizojnë fokusimin në krijimin e shteteve etnike, ndërkohë që deklaratat që bëhen për ndryshim kufijsh nga zyrtarë të lartë të Prishtinës, krijojnë pikërisht idenë e një Kosove etnikisht shqiptare. Sipas deklarimeve jo-zyrtare, pjesë të veriut të vendit që banohet nga serbët do i jepen Serbisë, ndërsa Kosova do të marrë në këmbim Preshevën e banuar nga shqiptarët.
Bazuar në deklarimet që janë nxjerr nga ky artikull i 2016-ës, Gent Cakaj ndan të njëjtin qëndrim me Hashim Thaçin sa i përket nevojës së përcaktimit të kufijve midis dy shteteve, por plani jo-zyrtar i presidentit kosovar, që përflitet në media, flet në favor të krijimit të një Kosove etnikisht shqiptare, çka nxjerr jashtë territorit pjesën veriore të vendit.
Gjithashtu, Cakaj pranon se ndryshimi i kufijve do të ndikojë në Maqedoninë Veriore dhe në Bosnje-Hercegovinë, një reaksion zinxhir për të cilin presidenti Thaçi nuk po flet në deklaratat zyrtare.