Rama shqetësohet për uljen e taksave nga PD!

E mërkurë, 13 February 2019 15:16

Nga Jorida Tabaku

Nga janari 2014 e deri më sot qeveria shqiptare ka dhënë mbi 2 mld USD PPP tek një grusht njerëzish. Një vlerë që është sa 13,3% e PBB-së dhe që e ka çuar borxhin publik që paguhet nga çdo shqiptar në 83%. Janë këto koncesione dhe PPP shoqëruar me ligjet speciale me emër biznesi që kanë rënduar shpenzimet ndërsa taksat e shqiptarëve i kalojnë në xhep oligarkëve.

Përpos PPP-ve dhe koncesioneve janë dhe mbi 200 mln euro të tjera që qeveria u ka falur 11 oligarkëve të pereferuar. Ndërsa 1 në 3 tendera janë dhënë pa garë siç e konfirmon edhe raporti i BE-së për tenderat dhe koncesionet. Të gjitha këto vlera marramendëse merren nga taksat e qytetarëve, nga tarifat e rritura dhe nga raprezaljet e qeverisë për të mbledhur çikërrimat nga xhepat e qytetarëve.

Kësaj politike, ku taksohet i pamunduri dhe paraja i shkon në xhep oligarkut, ku tregu është i zaptuar nga ligje klienteliste dhe monopolistike, ku qeveria punon për të dhunuar lirinë dhe për të taksauar padrejtësisht, ne do t’i japim fund.

Oferta e Partise Demokratike është ulje e taksave të rritura që shkojnë në xhepat e oligarkëve me koncesione. Ne propozojmë uljen e tarifave dhe çmimit të energjisë elektrike me heqjen e taksës rilindje. Ofrojmë heqjen e taksës së karburantëve që ka rritur koston e ushqimeve dhe ka shndërruar karburantin në luks. Do të ulim taksat për bizneset e vogla dhe të mesme që secili nga këto sipërmarrje të ketë mundësi të paguajë më pak dhe të zgjerojë biznesin për të hapur vende të reja pune dhe paga më të larta.

Propozojmë uljen e taksave për bizneset dhe sipërmarrjet që të rriten pagat dhe të rritet konkurenca. Ndryshojmë nga kush pretendon se mbron shtresën e mesme, ne propozojmë që punonjësit të mos prodhojnë artificialisht NIPT për të mos u taksuar me 23% mbi pagën.

Oferta jonë është e qartë; jo taksim i dijes, jo taksim i pandershëm dhe nxitje e punësimit, tregut të lirë sipërmarrjes. Beteja jonë është për një treg të lirë dhe kundër një tregu të kontrolluar nga oligarkët apo monopolet. Beteja jonë është për Shqiptarë që punësohen dhe jo që largohen për azil politik.

Me 16 shkurt shqiptaret do te protestojne dhe per taksat e rritura!

Login to post comments