Nga Ilir Nikolla
Kemi rastin të analizojmë me detaje ç’është një “I pabojë”. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, i paboji është një “i paturp, i pacipë, i pafytyrë”. Fjala është për Edi Ramën, i cili u spërkat sot me bojë në parlament, nga deputeti Edi Paloka, si një shenjë e sjelljes së pahijshme që ai mban në parlament ndaj grupeve parlamentare të opozitës e personalisht ndaj deputetit Edi Paloka. Lagia me bojë nuk është veç tregues i shenjimit të një të paudhi, por edhe një përpjekje për tërheqje veshi, për ta kthyer në rregull pjesëtarin e grigjës që ka dalë nga udha.
Po t’i analizojmë sjelljet e Edi Ramës si kryeministër e si parlamentar, janë të pafundme shprehjet seksiste, përqeshëse, misogjine, raciste e sektare. Së fundmi, janë shtuar edhe shprehjet e bullizmit, si gjeste miqësore ndaj Erion Braçes (tallje për gjatësinë), por edhe si sjellje intimiduese e mirëfilli bulliste ndaj deputetit Paloka apo edhe ndaj kryetarit të opozitës apo ndaj liderit historik të PD-së.
Sa i përket sjelljes së tij si kryeministër pastaj, mendoj se lagia me bojë është një stacion i tejkaluar. S’ka pse të përpiqemi t’i japim bojë një të paboji. Ndoshta Paloka ishte në të drejtën e Zotit t’ia bënte me dije publikut se ka qenë viktimë e bullizmit kryeministror, por për ata kryefamiljarë që vranë veten se s’paguanin dot faturën e energjisë elektrike, apo për ata qindra mijë që ikën jashtë me plaçkat e trupit në emigracion, është tepër vonë.
Bullizmi i të pabojit tashmë e ka kapërcyer numrin e viktimave dhe përfundimisht është i pakorrigjueshëm. Ndaj të pabojit kryeministër duhet të vijë stacioni tjetër: leçitja, përjashtimi i një të paudhi nga komuniteti. Norma është e sanksionuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, por përshtatja moderne e leçitjes do të ishte zbimi i tij nga karrigia që e mban në mënyrë të padrejtë. Siç mund ta kuptojnë edhe më shqeto ca të tjerë, ndaj Edi Ramës duhet të veprojmë ashtu siç veprohet ndaj dikujt që s’njeh “as din e as iman”. S’ka korrigjim, ka pastrim territori.