Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho ka qenë mbrëmjen e djeshme e ftuar në emisionin “Natë me Xhaxhiun” në Fax News, ku ka folur në lidhje me protestën e 16 shkurtit. Xhixho tha se do të jetë një protestë mbarëpopullore dhe presioni qytetar absolutisht do të japë zgjidhjen kundër kësaj qeverie ilegjitime. “Do të jetë një protestë mbarëpopullore dhe presioni qytetar absolutisht do të japë zgjidhjen që ka kërkuar opozita, duke qenë se nuk kemi më mundësi për një zgjidhje institucionale dhe kjo qeveri në këndvështrimin tonë është ilegjitime. E kemi denoncuar që ditën e parë, që është aty me vota të vjedhura dhe me bashkëpunimin e politikës me krimin.”-tha Nënkryetarja e LSI-së.
Gjithashtu e pyetur në lidhje me skenarin e protestës Xhixho tha se vendimmarrja do të jetë e qytetarëve.
“Nuk do të ketë më xhiro në Bulevard. Kjo do të jetë një vendimmarrje që do të merret nga qytetarët ditën e protestës. Që do të thotë që hap pas hapi do të viheni në dijeni për vendimmarrjet. E rëndësishme është që aty të ketë një pjesëmarrje popullore, qytetare.”-theksoi Xhixho.
Çfarë do të ndodhë saktësisht në protestë?
Protesta e 16-shkurtit, vjen pasi ne i kemi ezauruar të gjithë mekanizmat institucional. Këtu flas për LSI me përgjegjshmëri, ka propozuar ligje kundër koncensioneve, ka propozuar amendamente të ndryshme, ka qenë oponencë për shumë nga vendimmarrjet nëpërmjet denoncimeve të ndryshme.
Do të jetë një protestë mbarëpopullore dhe presioni qytetar absolutisht do të japë zgjidhjen që ka kërkuar opozita, duke qenë se nuk kemi më mundësi për një zgjidhje institucionale dhe kjo qeveri në këndvështrimin tonë është ilegjitime. E kemi denoncuar që ditën e parë, që është aty me vota të vjedhura dhe me bashkëpunimin e politikës me krimin. Këtë e denoncoi mjaft mirë dhe Zëri i Amerikës me përgjimet e fundit të Kryetarit të Bashkisë në 4 qarqe që vihen në dyshim gjithë procesi zgjedhor dhe besoj se këtu është A-ja se pse kanë ardhur gjithë këto rezultate. Pra një qeveri ilegjitime prodhon më pas një qeveri arrogante, të papërgjegjshme, që nuk jep llogari, që nuk ka refleksion në veprimet e saj. Dhe padyshim 16-shkurti do të jetë një përgjigje ndaj gjithë kësaj situate ku qytetarët do të protestojnë në mënyrë shumë qytetare, shumë madhështore. Nuk kërkojmë qeveri në tavolinë, nuk kërkojmë qeveri nga opozita, ne kërkojmë një qeveri tranzitore, kalimtare, e cila do të sigurojë, pikërisht zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, gjë që do të mundësojë paralelisht ecjen përpara të procesit të integrimit sepse jemi vetëm 4 muaj para dhënies së vendimit të Këshillit të BE për hapjen e negociatave dhe ndarjen përfundimtare të krimit nga politika. Protesta e 16 shkurtit, padyshim që do të jetë një mesazh shumë i qartë, mbarëpopullor për qeverinë.
A jeni ju si forcë politike për të ndërmarrë akte radikale që nuk do ta lejonin, të ketë kthim në kulisa dhe në pazare të mëparshme?
Fakti që ne dolëm në opozitë, ishte një vendimmarrje e LSI-së. Ju i dini shumë mirë mijëra lutjet e Ramës që LSI të ishte pjesë e koalicionit në zgjedhjet e 2017. Mbahemi si një parti që di të mbajë fjalën edhe që është shumë e vendosur dhe radikale sepse jemi koshient që vetë z.Rama ka prodhuar një Kuvend ku u detyruam të miratojmë një ligj të dekriminalizmit. Sistemi zgjedhor në vend të prodhonte një Kuvend ku elita politike apo etika intelektuale të ishte pjesë e saj, prodhoi siç e dimë, trafikantë të ndryshëm me rekorde kriminale. Kështu që qëndrimi ynë është shumë i qartë, që me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Do të jetë protestë e dhunshme?
Protestë të dhunshme nuk do ketë. E ka deklaruar dhe Kryetarja e LSI. Ne do të jemi përkrah qytetarëve, nuk do të ketë fjalime politike. Nuk do të ketë flamuj politik gjë që e bën protestën gjithëpërfshirëse. Që do të thotë që njerëz të target grupeve të ndryshme do të jenë aty për të protestuar për hallet për shqetësimet e tyre. Dikush për biznesin e vogël i cili po falimenton, dikush për arsimin, dikush për emigracionin, dikush për pensionet, për taksat e larta, për çmimin e energjisë, të ujit. Pra shumë njerëz do të ndihen të lirë për të protestuar. Padyshim që e keqja më e madhe e të gjithë kësaj është ai që drejton qeverinë sot.
Çfarë do të ndodh në 17 shkurt?
Jo, nuk do të ketë më xhiro në Bulevard. Kjo do të jetë një vendimmarrje që do të merret nga qytetarët ditën e protestës. Që do të thotë që hap pas hapi do të viheni në dijeni për vendimmarrjet. E rëndësishme është që aty të ketë një pjesëmarrje popullore, qytetare.
Si do ta bëni të ngrihet nga divani atë njeriun e lëkundur, njeriun e thjeshtë, i cili duke e ndjekur nga ekrani për protestën thotë pse duhet të shkojë unë atje që të vijë në pushtet znj.Kryemadhi dhe z.Basha?
Jo, sepse nuk është ky synimi i protestës. Për mua si qytetare, është të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pastaj të fitojë më i miri. Nëse do të lëmë një sistem i cili është i kapur, që fiton më i forti, që fiton ai që ka të ardhura, nuk merren parasysh vlerat njerëzore etj, padyshim që do të prodhojmë një klasë politike që është servile e Kryetarit dhe jo e qytetarëve. Përsa i përket qytetarit dhe pse ai duhet të vijë në protestë, për mua nuk është çështja të vijë z.Basha apo znj.Monika por është e rëndësishme që në momentin në të cilin ndodhemi të bëjmë një analizë. A është kjo qeveri më e mirë se para 5 viteve? Paguajmë ne më shumë taksa? Jemi më të pasigurtë? Nëse në 90 njerëzit iknin se nuk kishin ekonomi, sot edhe ata që kanë ikin sepse nuk kanë një vend të sigurt, qoftë vend pune, apo siguri arsimore apo jetese për fëmijët e tyre. Pra nëse ka shumë arsye për të protestuar, duhet protestuar.