Sondazhi i mbështetur nga Gjermania: Shqiptarët pa punë, pa kursime, pa shpresa, 60% duan të emigrojnë nga varfëria dhe korrupsioni

Premte, 15 February 2019 16:12

Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë publikoi sot sondazhin e vitit 2018, sipas të cilit papunësia është shqetësimi kryesor i qytetarëve, krahas korrupsionit dhe besimit të ulët tek politika.

Sondazhi me 5600 vetë në 18 qytete të mëdha të vendit zbuloi se qytetarët ankohen për varfërinë ekonomike, ndaj shprehin gadishmërinë për emigrim, sepse nuk kanë besim tek një e ardhme më e mirë.
Qendra për Qeverisje të Mirë i kryen këto sondazhe prej disa vjetësh me mbështetjen e Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” për të matur perceptimin e opinionit publik mbi qeverisjen dhe nivelin e demokracisë në vend.
Shqetësimi kryesor i qytetarëve të intervistuar nga 20 - 45 vjeç është papunësia dhe sidomos mungesa e perspektivës për të gjetur një vend pune.
Gjatë vitit të kaluar të anketuar dy herë në qershor dhe në dhjetor, afro 60 për qind e qytetarëve pohuan se gjendja ekonomike është më keq se një vit më parë, afro 30 për qind se ekonomia ishte njëlloj si më parë dhe vetëm afro 10 për qind thanë se ekonomia është më mirë.
Sondazhi gjeti se papunësia dhe moszhvillimi ekonomik ndikuan tek niveli i përgjithshëm i të ardhurave familjare.
Rënia e të ardhurave bëri që 58 % e qytetarëve nuk arritën të kursejnë asgjë, dhe paguan vetëm detyrimet kryesore dhe ushqimet e përditshme.
Gjysmën e dytë të vitit sondazhi zbuloi një rritje të borxheve ose kredive, në pamundësi për të plotësuar nevojat bazike.
Sipas studimit, perceptimi i përgjithshëm i opinionit publik është se kemi një rritje të korrupsionit dhe mungesë serioze të luftës kundër tij.
Të pyetur në qershorin e kaluar 2018, se a po luftohej korrupsioni në nivelet e larta, më shumë se gjysma e qytetarëve (50.77 %) thanë “jo”, 18.14 % thanë “po” dhe 31.09 %, thanë se lufta kundër korrupsionit është “vetëm propagandë”.
Emigracioni vazhdon të mbetet një plagë serioze, sidomos në moshat 18-45 vjeç. Në dhjetorin e kaluar 44% e të rinjve pohuan se kanë aplikuar për emigrim, ndërsa rreth 20 përqind thanë se kishin në plan të aplikonin.
Pra, mbi 60% e popullsisë së re në moshë kërkon të largohet. Edhe në sondazhin e vitit 2017, për pyetjen “a e shihni emigrimin si rrugëzgjidhje për problemet tuaja?” afro 67% e qytetarëve thanë “po”, kundrejt 33% që thanë “jo”.
Mbështetjen më të madhe e ka marrë pyetja nëse duhej bërë një veting në radhët e politkës. Afro 94.52 % e qytetarëve thanë “Po”, se duhej një veting në politikë, ashtu siç po bëhet për gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa vetëm 5.48 % thanë “jo”.
Ky tregues, thanë autorët e studimit, dëshmon për pritshmëritë e qytetarëve nga drejtësia e munguar si dhe një apel që pandëshkueshmëria të marrë fund.
Sipas tyre, kjo shifër e lartë tregon se “ka një koalicion të gjerë të qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që të bëhet një pastrim i politikës nga persona që kanë lidhje me krimin, korrupsionin, abuzimin me ligjin dhe fondet publike. VOA

Modifikuar më Premte, 15 February 2019 17:40
Login to post comments