Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e PD ku e kanë pritur qindra mbështetës teksa ka folur shkurtimisht për mediat.
Basha tha se ky është një mesazh që duhet ta dëgjojë mirë kryeministri Edi Rama. Basha tha se sot është një ditë historike pasi mandatet më të pastra i kthehen popullit.
Ndërsa shtoi se efekti i parë është rrethimi i parlamentit me gjemba dhe arratia e Ramës.
“Është një mesazh që duhet ta dëgjojë mirë Edi Rama dhe pupacët e tij në ministrinë e Brendshme. Policia e Shtetit përbëhet nga burra e gra të keqpaguar. Shumë prej tyre kanë janë detyruar të paguajnë ryshfete të majme për të mbajtur vendin e punës. Sot ditë historike, mandatet i kthehen popullit. Sot do të bëjmë realitet djegien e mandateve parlamentare. Efekti i parë është rrethimi i parlamentit me gjemba dhe arratia e Edi Ramës nga Tiranë.
Mandatet do të digjen sot, parlamenti ka mbyllur dyert në mënyrë antikushtetuese sepse nuk është më parlament dhe qeveria për sot është larguar. Ne përmes bashkimit qytetar do të bëjmë të mundur që këto mos të jenë ngjarje të vetëm një dite por të kthehen në zgjidhje politike”, deklaroi Basha.
Opozita ka thirrur sot qytetarët në një protestë kundër qeverisë, e dyta brenda pak ditës. Protesta do të mbahet para parlamentit ku që në orët e para janë stacionuar një numër i madh efektivësh policie.
Ndërkaq burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka mbërritur në zyrë në selinë e LSI-së që në orën 08:30.
Dje kryeparlamentari Gramoz Ruci, njoftoi anulimin e seancës plenare që do të niste sot në orën 10:00 duke renditur dhe arsyet e këtij vendimi.
“Duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit. Ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, u shpreh Ruçi dje.