Mijëra protestues janë mbledhur sot para godinës së Kuvendit për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Protesta vjen pas vendimit të deputetëve të partive opozitare për të djegur mandatet e deputetit.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një prononcim për mediat u shpreh se qytetarët kërkojnë një zgjidhje politike. “Ne përmes bashkimit me qytetarët do të bëjmë të mundur që këto dy ngjarje të rëndësishme sot, mbyllja e parlamentit dhe rrethimi me tela me gjemba ushtarakë dhe largimi i Edi Ramës të mos jenë ngjarje e një dite por të kthehen shumë shpejt në zgjidhjen politike dhe ti hapin rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një parlamenti nga populli, për popullin dhe të popullit”,- tha Lulzim Basha.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë për të mbrojtur godinën e Kuvendit nga protestuesit e opozitës së bashkuar. Një ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, policia tha se protestuesit do të tentojnë të mësyjnë në sallën e Parlamentit, ku pritej të zhvillohej seanca e përjavshme. Për shkak të dhunës që pritet të ndodhë në protestën e sotme, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi anuloi seancën. Pavarësisht policia mbrëmjen e djeshme ka përgatitur planin e masave, duke rrethuar me tel me gjemba godinën. Paraditen e sotme forca të shumta policie kanë bërë kordon rreth Parlamentit.
Megjithatë protestuesit nuk kanë bërë asnjë akt dhune ndaj institucioneve, apo forcave të rendit.