Një histori e shkurtër deri te ‘djegia e mandateve’…

E Enjte, 21 February 2019 15:27

Nga Kastriot Islami 

Është ideuar dhe është në rrugë drejt finalizimit një vendim ‘historik’. Një vendim nën detyrimin e kushteve të paprecedentë që i përjetojnë prej kohësh vetëm qytetarët e shqiptarë. Një vendim in ekstremis.

Një vendim që s’ka asnjë precedent tjetër më parë dhe që s’do të mund të kthehet ndoshta kurrë në precedent; pra që ndoshta do të mbetet i vetmi. Një vendim shumë i komplikuar dhe kompleks. Një vendim i paimagjinueshëm në kushte të tjera, por i papërjashtueshëm në kushtet konkrete ku gjendet vendi.

Një vendim i marrë me ‘detyrim e përcaktim’ nga e ‘keqja që Rama e ka kthyer në model suksesi’ dhe pasi janë shteruar të gjithë mjetet e mënyrat e tjera për të dalë nga qorrsokaku.

Një vendim i marrë për shkak të situatës së krijuar vetëm nga një individ dhe që mund të zgjidhet vetëm duke larguar pikërisht këtë individ.

Një vendim që ‘ndërkombëtarët’ do ta kishin të vështirë ta pranonin publikisht ndërkohë që ata njohin shumë mirë kushtet e tmerrshme që i detyrojnë qytetarët shqiptarë të emigrojnë në vendet e tyre, dhe pikërisht për këto kushte s’i hapin negociatat për Shqipërinë.

Ja historia e shkurtër që ka çuar në këtë vendim:

  1. Opozita i ka provuar pothuajse të gjithë opsionet e reagimeve, në kuvend dhe jashtë tij, që mund të kryhen ndaj një qeverisjeje autoritare, një pakice klienteliste të korruptuar në ekstrem, në përbërje të së cilës ka shumë deputetë e drejtues të lartë të lidhur ngushtësisht me krimin e trafiqet, që është pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe ka tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve me paratë e korrupsionit, krimit e të kanabisit të menaxhuar nga kupola në bashkëpunimin me rrjetin e policisë dhe fitimet përrallore nga narkotrafiqet.
  2. Opozita ka kritikuar verbalisht e me fakte të pakundërshtueshme të gjithë dukuritë e lidhura me qeverinë Rama, ministrat e tij dhe deputetët e maxhorancës që drejton Rama. Por Rama ose nuk e ka carë kokën; ose është hedhur në sulm duke share, duke përçmuar e ofenduar opozitën e kundërshtarët e tij politikë, madje duke shkuar shumë larg në kërcënime e goditje fizike të opozitës për ti mbyllur gojën asaj.
  3. Opozita është detyruar jashtë vullnetit të saj të përleshet fizikisht në kuvend me individët me rekorde kriminale, që janë gjithnjë orkestruar nga Rama për të goditur deputetët aktivë të opozitës dhe për të kërcënuar me të gjithë mënyrat opozitën me qëllim mbylljen e gojës.
  4. Opozita e ka bojkotuar kuvendin për një kohë të arsyeshme për ti dhënë mesazhin shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve për korrupsionin e qeverisë Rama dhe lidhjet e saj me krimin e kriminelët e ulur këmbëkryq në kuvend dhe në administratën publike. Për lidhjet e ministrave të Ramës me kriminelët me të rrezikshëm që veprojnë në Shqipëri, rajon e në shumë vende të BE. Për implikimin e institucioneve të shtetit në trafikun e drogës përmes tokës, detit dhe ajrit. Për kultivimin masiv të kanabisit që e shndërroi Shqipërinë në vendin e parë në Europë për prodhimin e marijuanës. Për implikimin e ministrave të qeverisë Rama në narkotrafiqe dhe shitjen e armëve. Për shndërrimin e Shqipërisë në vendin e parë për pastrimin e parave. Për manipulimin e zgjedhjeve përmes blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve.
  5. Opozita ka organizuar protesta masive njëditore dhe një protestë 90-ditore për të sensibilizuar opinionin publik kundër blerjes së votës dhe për të treguar se zgjedhjet e lira e të ndershme të 2017 nuk do të mund të zhvilloheshin me Ramën kryeministër, gjë që rezultoi plotësisht e vërtetë. Madje gjatë dhe në vijim të protestës 90-ditore opozita hodhi tezën e mospjesëmarrjes në zgjedhje nëse nuk plotësohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, një vendim shumë i vështirë e ekstrem, i pandodhur asnjëherë më parë. Por për hir të interesave të vendit dhe për të mos bllokuar procesin e integrimit, opozita pranoi të hynte në zgjedhje duke bërë një marrëveshje të cilën Rama e keqpërdori duke vjedhur votat për të siguruar i vetëm ‘timonin e tepsinë’ e pushtetit. Kjo do të ishte ‘pika e vlimit’ e njëkohësisht edhe ‘pika e kthesës’.
  6. Opozita, së fundmi, pasi do të dilte sheshit legjitimiteti i kuvendit të zgjedhur në 2017 e do të zbuloheshin blerjet e votave nga individët me rekorde kriminale si dhe pasi do të shpërthenin skandalet e korrupsionit e të pastrimit të parave të pista, do të hidhte në treg propozimin për ‘djegien e mandateve’, si rruga e vetme për të mundësuar daljen nga qorrsokaku ku e ka zhytur vendin Edi Rama dhe për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, e krijuar kështu kushtet minimale për hapjen e negociatave me BE në qershor.

Përfundimisht mund të thuhet se ky është vendim shumë i vështirë, i padëshiruar nga opozita por i detyruar nga kapja që Edi Rama i ka bërë shtetit. Në vendim që s’ka qenë i lehtë për tu konceptuar e për tu marrë; dhe që mbetet shumë më i vështirë për tu realizuar. Një vendim ekstrem që do të kishte vetëm një dalje, ose tërheqjen e Ramës ose largimin e tij përmes revoltave e protestave masive…

Fatkeqësisht në kushtet që ndodhet Shqipëria, ky nuk rezulton një vendim i përjashtuar…Aq më tepër që të gjithë opsionet e tjera të deritanishme, kanë çuar në zgjidhje inefikase apo edhe deri të dështuara.

Login to post comments