“Do ta pengojmë Ramën dhe bandën që ka zaptuar parlamentin”

Tuesday, 05 Mars 2019 09:08

Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm mijëra qytetarë janë nisur nga qytete të ndryshme të vendit, për tu bashkuar në protestën e orës 10:00, përpara Kuvendit. Nisja nga qytetet e largëta është bërë para orës 6, ndërsa drejtues lokalë të PD-së kanë akuzuar se mbi qytetarët dhe mbi drejtuesit e mjeteve ka pasur presione.

Xhevdet Amuli kryetar i PD-së në Shkodër tha se shoferët janë kërcënuar me gjoba dhe heqje patente por asgjë nuk do të ndalë protestuesit deri në rrëzimin e qeverisë.

Edhe këtë herë protestuesit e Shkodrës janë përballur me postoblloqet e Policisë në Kryebushat, ndërsa nuk kanë munguar as momentet e tensionit. Mes protestuesve ishte dhe një grua e cila kishte qenë e arrestuar ditën e protestës, dhe tashmë ishte nën masën e detyrimit të paraqitjes.

”Edhe sikur të më fusni prapë brenda, në protestë do të shkoj”, është shprehur qytetarja.

Ndërkohë që nisje të protestuesve ka pasur edhe në qarkun e Lezhës, me autobusë dhe me mjete private. Disa prej qytetarëve janë shprehur në Faxnews se goditja finale për Edi Ramën do të jetë protesta e 16 Marsit.

‘’Mendjen e kena me mos ja zgjas jetën më, në 16 do i japim goditjen e fundit”, shprehet një prej qytetarëve lezhjanë, i cili denoncon dhe varfërinë dhe kushtet ekonomike që kanë marrë peng vendin.

Nisje të protestuesve ka pasur dhe nga qarku i Beratit, të organizuar nga dega e PD-së. Po ashtu nga Korça ka pasur nisje kryesisht me mjete personale të protestuesve, dhe vetëm një autobus.

Ndërkohë që nisjen e protestuesve nga Fieri e ka shoqëruar dhe ish-deputeti Luan Baçi, i cili tha se protestat e njëpasnjëshme do të rrëzojnë këtë qeveri duke çuar në zgjedhje të parakohshme.

Protesta sot përkon me orarin e nisjes së seancës në Kuvend, ku kryeministri Rama sërish nuk do të jetë i pranishëm, pasi mësohet se do të udhëtojë drejt Italisë.

Policia ka angazhuar rreth 1200 efektivë për mbarëvajtjen e protestës së sotme.

Login to post comments