Gjatë intervistës në “Zonë e Lirë”, kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh optimist për të ardhmen e vendit, duke besuar te forca e njerëzve, sipas tij.
“Kjo është beteja midis shtetit të frikës dhe popullit. Ka shumë forma që policia kontrollon njerëzit mos shkojnë në protestat e opozitës, të cilat tregojnë se të vetmet armë që i kanë ngelur Ramës janë propoganda dhe frika”, ka thënë Lulzim Basha në studion e “Zonë e Lirë”, duke thënë se Rama ka marrë goditjet e fundit nga protesta e studentëve dhe më pas ajo e opozitës.
“Kam besim tek forca e njerëzve, kemi një koncept që shteti punon me frikë dhe propagandë, këto janë gradat e fundit të një regjimi. Nuk është e vërtetë që ndërkombëtarët përkrahin Ramën. Nuk po i funksionon më frika, goditjen e madhe e mori me studentët, të dytën e mori me këtë protestë që po vazhdon”, tha Basha.
“Asnjë mekanizëm i këtij regjimit nuk mund të shmang të pashmangshmen. Me hapin tonë, kemi krijuar shtratin me të cilin të gjithë qytetarët do të krijojnë një të ardhme. Hapi i parë vrasja e frikës, e dyta një bashkëbisedim i frikës. E vetmja që na ndan nga kjo e nesërme, është forca e ëndrrave sepse ne po ëndërrojmë normalitetin. Forca e protestës është edhe ura e shpresës”, thotë kryetari i PD.
“Këto që po them nuk janë imagjinatë, por do të jenë realitet nesër”, shtoi Basha.
Gjatë një komenti të moderatorit Arian Çani, i cili e etiketoi vendin si një nevojtore, Basha reagoi duke thënë: “Ne jemi një vend i bukur dhe i pasur, por i vjedhur. Nevojtore është qeveria”.