Kryedemoktari Lulzim Basha ka folur për “tradhtarët” në radhët e Partisë Demokratike, të cilët thyen vendimin kolegjial të partisë dhe pranuan që të dorëzojnë formularin e dekriminalizimit në KQZ, veprim ky, që i paraprin marrjes së mandatit të deputetit pas vakancave të krijuara si reultat i djegies së mandateve nga opozita e bashkuar.
Basha i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” theksoi se nuk ka ndërmend të komentojë veprimet e tyre, ndërsa shtoi se ky akt i tyre nuk i shërben aspak interesit publik.
Ndërkohë Basha tha se Partia Demokratike dhe e gjithë opozita së bashku me socialistët e me qytetarët, po përgatitet për të sjellë ndryshimin në vend dhe pushteti shtoi ai, nuk është qëllim në vetëvete i partisë që ai drejton.
“Kjo nuk është për pushtet , por është për ndryshim. Do ta sjellim ndryshimin edhe me socialistët. Në kuptimin politik, është ajo që nëse në Slloveni ministri jep dorëheqjen për një sanduich, atëherë edhe në Shqipëri nëse një kryeministër kapet duke vjedh vota ai duhet të largohet. Ai me siguri është ulur me ndonjë oligark dhe po ndan ndonjë copë toke në det.
Nuk e kam ndërmend të merrem me asnjërin prej tyre, por motivi i tyre që kanë zgjedhur për të qëndruar nuk është interesi publik. Motivet e gjithsecili prej atyre që dalin kundër një vendim i politik, nuk i shërbejnë interesit publik. Kjo krizë do të marrë fund me zgjedhje të parakohshme”, tha Basha.