Rama po dëbon gazetaren se e kritikon, shqiptarët: T’i jepet nënshtetësia

Saturday, 09 Mars 2019 17:31

Pas refuzimit nga organet shtetërore për ti rinovuar lejen e qëndrimit në Shqipëri, si hakmarrje ndaj qëndrimeve të saj profesionale anti-qeveri, Kastriot Çipi ka nisur një peticion kundër dëbimit të gazetares britanike, Alice Elizabeth Taylor, madje ai i kërkon Presidentit të Republikës Ilir Meta t’i japë asaj nënshtetësinë shqiptare.

Në letrën e drejtuar Metës ata shprehen se gazetarja kritikoi qeverinë ndaj edhe po dëbohet, sipas tyre ky nuk është një vendim i drejtë pasi të kthen në kohën e komunizmit.

Rama merr në mbrojtje renegatët e opozitës: Pse budallenj janë, që të mos marrin rrogën dhe pensionin?!

Letra e plotë:

Shkëlqesi,

Siç është raportuar nga mediat, gazetares së mirënjohur britanike Alice Taylor, prej vitesh rezidente në Shqipëri, i është refuzuar pa asnjë arsye dhe sqarim, leja e qëndrimit, nga autoritetet shqiptare.

Alice Taylor, bashkëpunëtore e rregullt e portalit kritik ndaj Qeverisë, Exit.al dhe autore e blogut The Balkanista, u bë objekt i një fushate shpifjesh nga mediat proqeveritare, por edhe deputetë e ish-deputetë socialistë, pas intervistës së saj në televizionin Russia Today.

Me një arsyetim të llojit “Ç’deshe në makinën e ambasadës jugosllave”, Alice Taylor u akuzua deri edhe si agjente ruse, në vazhdën e fushatës mediatike të Qeverisë, që synon të përbaltë çdo zë kritik ndaj saj. Fushata nuk kurseu as partnerin e saj shqiptar, megjithëse ai ka një profil të ulët publik dhe nuk ka bërë deklarata publike kundër Qeverisë. Pas kësaj, erdhi reagimi “vigjilent” i organeve të punëve të brendshme: refuzimi i lejes së qëndrimit për “spiunen ruse”.

Ne, qytetarët shqiptarë, firmëtarë të këtij peticioni, e konsiderojmë këtë akt paprecedent të organeve të punëve të brendshme një turp kombëtar. Refuzimi i lejes së qëndrimit të një gazetareje të huaj është një akt që na rikthen në kohën e errët të diktaturës komuniste. Nëse shtojmë këtu faktin se gazetarja Alice Taylor është edhe shtatzënë dhe do të lindë së shpejti një fëmijë me baba shqiptar, refuzimi i lejes së qëndrimit bëhet një fyerje e rëndë e kulturës shqiptare të mikpritjes dhe një akt i pastër antishqiptar.

Në këto kushte, ne, qytetarët shqiptarë, firmëtarë të këtij peticioni, ju kërkojmë t’i jepni nënshtetësinë shqiptare gazetares Alice Taylor, për ta shlyer sa më parë dhe një herë e mirë këtë turp dhe për të na kthyer dinjitetin tonë si nënshtetas shqiptarë.

Me këtë gjest, ju do t’i tregoni opinionit publik se shqiptarët nuk identifikohen sot me organet e punëve të brendshme dhe se vlerat morale në të cilat ne besojmë nuk mund të lëkunden aspak nga interesat kriminale të aleancës mafioze që, fatkeqësisht, sundon sot në shumicën e institucioneve të shtetit shqiptar.

E fundit, por jo për nga rëndësia, dhënia e nënshtetësisë shqiptare gazetares Alice Taylor, do të ishte njëherazi një ndjesë publike dhe shprehje e mirënjohjes e të gjithë shqiptarëve ndaj saj.

Login to post comments