Basha nga protesta e "Astirit": Edi Rama i paligjshëm! Sot vendosin qytetarët

Diel, 10 Mars 2019 18:13

Kreu i PD iu bashkua sonte serish protestes se banoreve te Unazes se Re.Kryetari i PD-së Lulzim Basha pas mbledhjes së Kryesisë së PD, i është bashkuar protestës së banorëve të Astirit. Në ditën e 127-të të protestës, Basha u ndal te afera e projektit të “Unazës së Madhe”. Basha tha se pas projektit fshihet mafia. Ne fjalen e tij z.Basha tha se: -"Çdo protestë është vendim dhe tash 127 ditë e netë, banorët e Unazës së Re e kanë marrë vendimin për të mos ja dorëzuar dinjitetin e tyre, të ardhmen e tyre, mafies dhe Edi Ramës.

Lleshaj, kjo vegël e krimit të organizuar dhe e Edi Ramës, dhunoi qytetarët, por nuk i theu dot. Nuk i theu dot as Edi Rama me hordhitë e tij, me analistët e blerë në ekranet e blera, që i bënin jehonë një perversi të shthurur që u thotë qytetarëve të vet shpellarë

Edi Rama në vetvete përfaqëson llumin e llumit të kësaj shoqërie, llum që ka ardhur koha ta pastrojmë me fshesën më të madhe, me bashkimin më të madh popullor. Dhe do ta pastrojmë!

Dhe tani verdikti është i qartë. Edi Rama, ti nuk merr dot më asnjë vendim tjetër për shqiptarët, ti je i paligjshëm, je po i paligjshëm si kriminelët me të cilët ke marrë pushtetin.

FJALA E KRYETARIT TË PD LULZIM BASHA NË PROTESTËN E BANORËVE TË UNAZËS SË RE

Mirëmbrëma vëllezër e motra, zonja e zotërinj, qytetare e qytetarë të Tiranës, banorë të ASTiR-it, përfaqësues të qëndresës më shembullore, më qytetare dhe më të drejtë që Tirana dhe Shqipëria kanë parë prej kohësh. Keni hyrë në muajin e pestë të kësaj proteste të përditshme e të përnatshme, dhe për këtë keni dhe meritoni nderimin dhe respektin tim dhe të çdo shqiptari që vlerëson lirinë, vlerëson drejtësinë, vlerëson dinjitetin njerëzor. 

Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, të dashur bashkëqytetarë, në veçanti ju që keni mundësinë të na ndiqni përmes ndonjë ekrani të pakapur e të pablerë nga Edi Rama dhe mafia e tij, kriminelët që pastrojnë paratë e drogës me projekte gjoja ndërtimi, dhe firmat fantazëm që u bënë gati të vidhnin këtu 20 milionë euro për kilometër nga populli më i varfëruar i Evropës. 

Shpesh kam qenë këtu dhe kam dhënë mesazhet e mia për zhvillimet e vrullshme që nxorën në pah korrupsionin më të zi të Edi Ramës dhe oligarkëve të tij, me aferën e Unazës që sot është bërë një skandal ndërkombëtar, me aferën e zhvendosjes së Lanës që tregoi edhe njëherë se rrënjët e Edi Ramës dhe qeverisë së tij janë tek krimi i organizuar dhe pastrimi i parave të pisëta të drogës, me faktin se e gjitha kjo do të ishte kaluar pa asnjë gjurmë dhe shtëpitë e mijëra banorëve të kësaj zone do të ishin rrafshuar po të mos kishte qenë për një vendim që ata morën, që këta banorë morën. Që të mos ta ulnin kokën, që të mos dorëzonin në errësirë shtëpitë e tyre, vatrat e tyre, dinjitetin e familjeve të tyre, të ardhurat e vogëlushëve të tyre, por të bashkoheshin, të qendronin, të protestonin, të përballeshin, të përplaseshin për drejtësinë, për liri, për kushtetutë, për pronën e tyre dhe për dinjitetin e tyre.

Çdo protestë është vendim dhe tash 127 ditë e netë, këta banorë e kanë marrë vendimin për të mos ja dorëzuar dinjitetin e tyre, të ardhmen e tyre, mafies dhe Edi Ramës. Sepse këtu vendimet nuk i mori ligji, vendimet nuk i mori kushtetuta, nuk i morën njerëz të zgjedhur për të mbrojtur dhe përfaqësuat interesat e qytetarëve. As të Tiranës e as të Shqipërisë. Këtu vendimet, siç e dinë e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota, i mori mafia, mafia e ulur kokë më kokë me Edi Ramën vendosi që në një segment ekzistues rrugor të shpallë një tender fantazëm, me një projekt fantazëm, me një vlerë rekord edhe për Japoninë, prej 20 milionë eurosh për kilometër, që ky tender të ndahej në 3 pjesë, për të eliminuar shanset që ndonjë konkurrues i huaj të futej e t’ju prishte pazarin, se në këto 3 pjesë nuk pati asnjë ofertë tjetër, sepse kompania që u fut “Vëllezërit Hysa” nuk solli ofertë financiare, ose sepse u pagua, ose sepse u kërcënua, ose për të dyja, se çdo tender u fitua në limitet e fondit, dhe se më vonë u provua se një nga këto kompanitë as nuk ekzistonte fare. ishte një falsifikim jo shqiptar, por falsifikim i përmasave botërore.

Ja pra, këtu në Unazën e Re vendimet i mori mafia, i mori Edi Rama, Afrim Qendro, Damian Gjiknuri dhe mafiozët e lidhur me të. Por vendimin final nuk e mori dot. Solli FNSH-në që arrestoi fëmijë e shoqëroi edhe nëna shtatzëna. Lleshaj, kjo vegël e krimit të organizuar dhe e Edi Ramës, dhunoi qytetarët atë mbrëmje, por nuk i theu dot. Nuk i theu dot Edi Rama me hordhitë e tij, as me ata të tjerët, që janë më të këqinj se policët e dajakut, analistët e blerë në ekranet e blera, që i bënin jehonë një perversi të shthurur që u thotë qytetarëve të vet shpellarë, kadrinj e ramadanë, e që në vetvete përfaqëson llumin e llumit të kësaj shoqërie, llum që ka ardhur koha ta pastrojmë me fshesën më të madhe, me bashkimin më të madh popullor. Dhe do ta pastrojmë! Koha e hajdutëve po merr fund bashkë me kohën e Edi Ramës që ka marrë fund. Ai është një kufomë politike dhe banda e tij, e hajdutëve që qeveris vendin, i ka ditët e numëruara. Vendimet mendoi se mund t’i marrë ai, siç i ka marrë tash 6 vite, duke i fut çdo shqiptari në xhepat e tij faturat e larta të energjisë, faturat e larta të ujit, taksat e rritura. Ka marrë vendime për t’ju fut çdo shqiptari në tavolinë, duke i heqë bukën e gojës fëmijëve, duke nxjerrë dhjetëra e mijëra familje nga ndihma ekonomike, në mes të katër rrugëve e disa prej tyre azilantë, vendimet i ka marrë ai duke mbyllur 50 biznese në ditë – 20 mijë biznese të mbyllura – që janë turpi e faqja e zezë, krim i rëndë, dhjetëra e mijëra kryefamiljarë, që nuk kanë sot asnjë mundësi të ushqehen, vendimet i ka marrë ai, duke nxjerrë kundër ligjit e pa ligj mijëra njerëz nga administrata publike, të cilës sot, duhet që taksapaguesit shqiptare t’i paguajnë një faturë prej qindra milionë eurosh. Vendimet i ka marrë ai, bashkë me kryehajdutin ilir Beqjen dhe pasardhësit e tij, për të shkatërruar sistemin shëndetësor, për t’ju dhënë qindra milionë klientëve të tij dhe zhytur spitalet në krizë. Vendimet i ka marrë ai, duke marrë të gjitha pushtetet në një dorë, me ndihmën e kriminelëve me damkë, derisa u kap me presh në duar, këtu tek Unaza e Re. U kap me presh në duar tek Teatri Kombëtar, u kap me presh në duar nga Zëri i Amerikës, duke vjedhur votat e shqiptarëve me krimin e organizuar.

Dhe tani verdikti është i qartë. Edi Rama, ti nuk merr dot më asnjë vendim tjetër për shqiptarët, ti je i paligjshëm, je po i paligjshëm si kriminelët me të cilët ke marrë pushtetin. Ndaj sot nga Unaza kam një mesazh për çdo qytetare e çdo qytetar. Ka ardhur koha që vendimet t’i merrni ju. Ju duhet të vendosni. Ju do të duhet të vendosni, ju duhet të vendosni, siç keni vendosur të nisim së bashku një rrugëtim që na bën bashkë, më të vendosur e më të qartë se kurrë, drejt vlerave evropiane dhe drejt Shqipërisë evropiane. Djegia e mandateve parlamentare të opozitës është vendimi më i ligjshëm, më demokratik dhe më patriotik i ndërmarrë ndonjëherë. Me këtë vendim, ne dolëm në krah të popullit, ne dolëm në krah të njerëzve të thjeshtë, jashtë nga parlamenti i krimit, parlamenti i hajdutëve, i cili, me veprimtarinë e tij është përgjegjës për gjendjen ku ndodhet vendi. Me këtë vendim, ne kemi ndërmarrë një hap historik, për t’i dhënë fund një regjimi të kalbur deri në rrënjë dhe për të kthyer vendimmarrjen tek populli. Ky është vendimi që ne kemi marrë, që unë si kryetar i opozitës, dhe kolegët e mi të Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për integrim dhe aleatëve të tjerë parlamentarë kemi marrë, është një vendim i drejtë, është vendimi për të mos qendruar në krah të kriminelëve, në krah të hajdutëve, por për të qendruar në krah të popullit, në krah të qytetarëve, në krah të shqiptarëve.

Kuptimi tjetër i këtij vendimi është, që si kudo tjetër në Evropë, me këtë vendim, tashmë  kemi hapur rrugën që çdo vendimmarrje tjetër të mos jetë më në duart e asamblesë së krimit, as bandës kriminale dhe kryehajdutit që i thotë vetes kryeministër, por të gjitha këto vendime të kthehen tek populli.

Ju duhet të vendosni. Populli duhet të vendosë! Ju duhet të vendosni për të ardhmen tuaj. Ju duhet të vendosni për Parlamentin dhe qeverinë që doni, meritoni dhe votëbesoni. Ju do të vendosni se si do të përdoren, burimet publike të këtij vendi, taksat e këtij vendi, se si investohen ato. Ju duhet të vendosni që ti jepni fund njëherë e mirë, politikës së bërë njish me krimin dhe kriminelëve që krekosen në costume deputetësh e kryebashkiakësh.

Koha ka ardhur ti japim zgjidhje kësaj emergjence kombëtare. Largimi i Edi Ramës është i pashmangshëm, përballë bashkimit të madh të shqiptarëve për ndryshim. Dhe kjo është rruga e vetme drejt vlerave europiane. Nuk shkohet në Europë me zgjedhje të diktuara nga krimi, nuk shkohet në Europë me një shtet që duke shkelur ligjin e Kushtetutën, godet të pambrojturit, godet kryefamiljarët, privon nga e ardhmja fëmijët dhe mbron e lartëson kriminelët dhe oligarkët grabitqarë.

Nuk shkohet në Europë, me një qeveri dhe një kryehajdut që që nga mëngjesi e deri në dakrë e kanë mendjen si e si të vjedhin dhe të grabisin shqiptarët. Ky është kuptimi i shtetit që ka ndërtuar Edi Rama. Gjithçka në këtë shtet bëhet për të pasuruar Edi Ramën dhe bandën e tij të hajdutëve.

Ndaj, vendimi juaj për ti hapur rrugë zgjidhjes politike që ne kemi propozuar, është po kështu vendimi i vetëm i drejtë që mund të merret në këto kushte.

Ju duhet të vendosni!

Banorët e unazës vendosën të mos e ulin kokën!

Ju duhet të vendosni të hapim derën e Shqipërisë Europiane!

Ju duhet të vendosni, që kurrë më në xhepat tuaj, në tavolinat tuaja, në shtëpitë tuaja, most ë vendosin kriminelët me fytyrën, me fjalorin e shthurur dhe me dorën barbare të Edi Ramës. Most ë jetë më ai, Zot në shtëpitë tuaja, në familjet tuaja, në bizneset tuaja, në shkollën e fëmijëve tuaj.

Ju do të jeni zot të fateve tuaja! Shqiptarët do të jenë zot të shtëpive të tyre. Ju duhet të vendosni të merrni këtë vendim historic bashkë më gjithë shqiptarët e tjerë të ngritur në këmbë, në valën më të madhe të protestave që Shqipëria ka njohur që nga rënia e diktaturës.

Prandaj, me këtë vetëdije, ju duhet të vendosni, ju duhet të merrni vendimin. Me këtë ju ftoj të gjithëve, me 16 mars kemi një takim me historinë dhe ajo nuk do të jetë historia e triumfit të së keqes, por do jetë historia e triumfit të bashkuar.

Unaza e bashkua ka për të fituar, shqiptarët e bashkuar kanë për të fituar.

Për ti hapur rrugë një qeverisje që të zgjidhet nga vota juaj e të largohet me votën tuaj, rrotacioneve normale politike, njerëzve që marrin përgjegjësi përpara jush për premtimet që bëjnë, njerëzve që marrin përgjegjësi politike për zbatimin e këtyre premtimeve, njerëzve që ju përfaqësojnë dhe ju mbrojnë, nuk ju vjedhin e ju përçmojnë, mos mungoni në takimin tuaj me historinë. Me 16 mars të gjithë bashkë, do ta hapim derën e mbyllur të Europës. Me Edi Ramën nuk ka për të pasur Europë, nuk ka për të pasur negociata aq ç’ka pasur në 6 vite. Nuk ka për të pasur as zhvillim, as përparim, tani më këtë e di gjithëkush, e dinë edhe socialistët e ndershëm. Ju bëjmë thirrje edhe atyre të bashkohen për dinjitetin e familjes së tyre dhe të vlerave në të cilat ata besojnë.

Të gjithë bashkë me 16 mars në takim me historinë e re që do ta bëjnë shqiptarët e bashkuar, as krimi, as oligarkia dhe as banda në pushtet.

Faleminderit banorëve të unazës, për betejën tuaj për dinjitet, për shtëpitë tuaja, për Kushtetutë dhe ligj. Mirënjohje çdo protestuesi, nga Roskoveci, Patosi e Fieri, deri në Shkodër, në Sarandë, në Durrës në Tiranë, tek Teatri, tek Bulevardi, në Himarë e kudo që ndodhen.

Ora e Shqipërisë europiane po vjen!

Fati juaj është në duart tuaja dhe nuk ka forcë të jua marrë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Faleminderit!           

Modifikuar më Diel, 10 Mars 2019 19:58

Video

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...