Prof. Dr. Shefqet Muçi: Jemi në krizë institucionale dhe kushtetuese. Mungesa e pushtetit Gjyqësor, dëshmon se Shteti ka rënë

Hënë, 18 Mars 2019 08:15

Prof. Dr. Shefqet Muçi

Duhet dalluar përbërja e Kuvendit, për të qenë legjitim, nga rregullat e funksionimit të tij. Në qoftë se, në rastet e vakancave, nuk mund të plotësohet numri 140 i deputetëve, do të thotë se një pjesë e zgjedhësve dhe e popullsisë ngelet e papërfaqësuar, ajo të cilës i përkiste deputeti i dorëhequr. Për rrjedhojë, në situatë kur bëhet i pamundur përfaqësimi, qoftë edhe i pjesshëm, kalohet në zgjedhje të parakohshme të tij

Jakup B. GJOÇA, 
Gazetar i “Telegraf”


Prof. Dr. Shefqet Muçi në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se Shqipëria është në krizë institucionale dhe kushtetuese dhe mungesa e pushtetit Gjyqësor dëshmon se shteti ka rënë. Prof. Muçi thotë se me sistemin aktual zgjedhor, nuk mundet që nja parti tjetër të marrë mandatet e deputetëve kur mbaron lista shteruese e një partie, në kushtet kur ato nuk kanë qenë në koalicion zgjedhor. Prof. Muçi, duke renditur pasojat e mungesës së Gjykatës Kushtetuese pohon se askush tjetër nuk mund të interpretojë boshllëkun që ka Kodi Zgjedhor, nëse kandidati i listës së një partie ka të drejtën të marrë mandatin e deputetit, kur partia ka hequr vullnetin politik për të qenë në parlament.


-Zoti Muçi, a është legjitim një parlament kur nuk ka 140 deputetët, siç e kërkon Kushtetuta jonë?

 Fillimisht, do të thosha se nuk mund ta bëj dot rolin e gjyqtarit kushtetues. E di se mendimet e mia mund të jenë të pranueshme, por edhe të kontestueshme, sepse çështja që trajtohet ka karakter të dyfishtë, juridik dhe politik. Ne jemi në krizë institucionale dhe kushtetuese, pasi disa institucione shumë të rëndësishme nuk funksionojnë apo janë shpërbërë, sikurse ndodh me Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi, Presidenca dhe Qeveria nuk arrijnë të bëjnë emërimin e funksionarëve të organeve kushtetuese që kërkojnë bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe pëlqimin e përbashkët të tyre, duke penguar veprimtarinë normale të këtyre institucioneve dhe duke ngadalësuar a penguar reformën në drejtësi dhe në fusha të tjera. Jemi në krizë politike, pasi partitë opozitare (rast pa precedent) kanë braktisur Kuvendin.

Detyrë parësore tashmë është zgjidhja e kësaj krize dhe e shmangia e pasojave të saj, që rëndojnë mbi kurrizin dhe mirëqenien e popullit të lodhur nga lufta e partive politike për pushtet, çka kërkon dialog mes palëve, tolerancë, maturi, urtësi dhe përgjegjshmëri ligjore dhe morale. Historia na ka mësuar se nga sherri, përplasja dhe lufta humbasin të gjithë. Edhe “fituesi” del i lodhur e i gjymtuar. Saadi Shirazi i Persisë thoshte, se kur janë të dy me brirë, tërhiq e tërhiq sa të këpusin zinxhir.

Lidhur me pyetjen, sipas Kushtetutës Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur sipas sistemit proporcional me zona zgjedhore shumë emërore. Ai vendos me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të tij, përveç kur kërkohet shumicë e cilësuar. Në këtë pikë, duhet dalluar përbërja e Kuvendit, për të qenë legjitim, nga rregullat e funksionimit të tij. Në qoftë se, në rastet e vakancave, nuk mund të plotësohet numri 140 i deputetëve, do të thotë se një pjesë e zgjedhësve dhe e popullsisë ngelet e papërfaqësuar, ajo të cilës i përkiste deputeti i dorëhequr. Për rrjedhojë, në situatë kur bëhet i pamundur përfaqësimi, qoftë edhe i pjesshëm, kalohet në zgjedhje të parakohshme të tij. Me sistemin mazhoritar ky problem ishte i zgjidhur, pasi zhvilloheshin zgjedhje të pjesshme, në zonën që kishte mbetur pa deputet. Ndërsa sistemi zgjedhor proporcional që kemi ne, është i dëmtuar në këtë drejtim, sepse nuk parashikon zgjedhje të pjesshme. Sipas këtij sistemi, nuk votohet për kandidatin e regjistruar në listën shumë emërore, por për partitë politikë që janë subjekt zgjedhor. Me fjalë të tjera, Kuvendi është në standarde kushtetuese kur nuk i ka të 140 deputetët dhe, në rast vakancash, kur ekziston mundësia e plotësimit të këtij numri.

A ekziston rendi kushtetues kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese?

Prof. Shefqet Mucci, për “Telegraf.al”: Rendi kushtetues nuk lidhet vetëm me Gjykatën Kushtetuese, por edhe me një sërë faktorësh të tjerë. Për shembull, problemet, mangësitë dhe shqetësimet që trajtuam më lart lidhen drejtpërsëdrejti edhe me rendin kushtetues, me dobësimin dhe mosfunksionimin e plotë të tij.

Në nenin 7 të Kushtetutës parashikohet se sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Siç shihet, godina qeverisëse ngrihet dhe qëndron mbi tri shtylla. Rrëzimi i njërës shtyllë shemb godinën apo, të paktën, rrezikon shembjen e saj. Në krye të sistemit gjyqësor qëndron Gjykata e e Lartë, e cila ka kohë që nuk funksionon, ndërsa gjykatat më të ulëta janë në prag të mosfunksionimit, funksionojnë pjesërisht dhe janë të terrorizuara nga presioni i gjithanshëm politik. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prokurorinë. Në këto rrethana, tej justifikimeve se kjo buron nga nevoja e reformës në drejtësi, kemi mbetur pa pushtet të vërtetë gjyqësor, është prishur ndarja dhe balancimi mes pushteteve.

Cilat janë pasojat e mungesës së Gjykatës Kushtetuese?

Prof. Shefqet Mucci, për “Telegraf.al”: Aq më tepër e rëndon situatën mungesa e Gjykatës Kushtetuese, kompetencat dhe detyrat e të cilës janë jetësore për shtetin e së drejtës, ligjshmërinë, parimet demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Pra, jemi në një situatë absurde, ku në fushën e lojës mungon arbitri. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese i sjell dëme të pallogaritshme funksionimit të demokracisë në vendin tonë dhe, më e keqja, do të duhet ende kohë që të zgjigjet, sepse kushtëzohet me zgjedhjen më parë të Gjykatës së Lartë, e cila zgjedh tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Për të treguar pasojat e kësaj mungese, po sjellim në vëmendje se Gjykata Kushtetuese, ndër të tjera, vendos për pajtueshmërinë e ligjit dhe për pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit të tyre; për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore; për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre; për deklarimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës etj. Po ashtu, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm shkarkohen apo pezullohen nga Gjykata Kushtetuese.

Kush vendos sot për zgjidhjen e këtyre problemeve që garantojnë veprimtarinë normale të qeverisjes? Më i forti. Kjo gjendje të kujton thënien proverbiale të popullit tonë: “Lalë Kros, o Lalë Kros, vetë shkruan e vetë vulos. Asnjeri nuk të thotë mos.”

A mundet një parti parlamentare ose joparlamentare të marrë mandatet e deputetëve të listës të një partie tjetër, kur nuk kanë qenë në koalicion elektoral?

 Përgjigjen e kësaj pyetjeje është “jo”. Atë e gjejmë në nenin 164 të Kodit Zgjedhor, ku rregullohet rasti i ndërprerjes së mandatit të deputetit dhe zëvendësimi i vakancës së krijuar. Partitë joparlamentare nuk kanë deputet në Kuvend dhe, për rrjedhojë, nuk kanë as për të marrë dhe as për të dhënë gjë. Këtu flitet për partitë parlamentare, ku mandati i ndërprerë i deputetit i kalon kandidatit vijues të listës të po asaj partie politike që i përkiste edhe deputeti që e ka ndërprerë atë në zonën zgjedhore përkatëse, lista e kandidatëve të regjistruar dhe të depozituar sipas procedurës së parashikuar në Kodin Zgjedhor. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike, në rast se zëvendësuesi nuk paraqitet në afatin kohor, nuk bën betimin apo heq dorë edhe ai. Kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.

 Tej këtij parashikimi ligjor nuk bëhen rregullime apo zëvendësime të tjera me kandidatët e listave shumë emërore të partive politike ose të koalicioneve të tyre. Në këtë vështrim, vakancat e krijuara nga dorëheqja e deputetëve të një partie politike nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të listës shumë emërore të partive të tjera politike, që nuk janë në koalicion me të. Madje, kur flitet për koalicion, kihet parasysh koalicioni zgjedhor, jo ai paszgjedhor. Besoj se mazhoranca aktuale i ka parasysh këto kërkesa ligjore dhe nuk do të gabonte që të bëjë zëvendësimin e vakancave të krijuara nga dorëheqja e deputetëve të opozitës me kandidatë të listave shumë emërore të saj.

 Përjashtim bëhet vetëm për mandatin e ndërprerë të deputetit, kandidatura e të cilit është propozuar nga zgjedhësit, i cili, ndryshe nga kandidatët e listave, është subjekt zgjedhor dhe nuk i përket asnjë partie politike. Mandati i ndërprerë i këtij deputeti i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë ose, kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë. Në rrethanat e Kuvendit tonë një mandat i tillë do t’i takonte Partisë Socialiste.

Duke Duke pasur parasysh sistemin tonë aktual zgjedhor, a mundet KQZ-ja t’i japë mandatin e deputetit një kandidati të listës së partisë, kur partia ka deklaruar vullnetin e saj për të mos qenë më në parlament?

Prof. Shefqet Mucci, për “Telegraf.al”:  Ky është një rast i debatueshëm, ku secila palë politike parashtron pretendimet e veta që nuk mund të thuhet se janë pa bazë logjike, pasi, në bindjen time, Kodi Zgjedhor ka mangësi dhe paqartësi në këtë pikë, duke lënë shteg për interpretime subjektive dhe abuzime teorike.

 Njëra anë, kryesisht përkrahës të partive politike që kanë deklaruar vullnetin për të mos qenë më pjesë e Kuvendit aktual, duke e quajtur atë jolegjitim, mbrojnë tezën se me daljen e partive politike nga Kuvendi, si subjekte zgjedhore, është bërë vetvetiu e pavlefshme edhe lista shumë emërore që u përket kandidatëve të saj, të cilët nuk janë subjekt zgjedhor më vete. Ata arsyetojnë se, në mungesë të një statusi të tillë, kjo kategori kandidatësh nuk legjitimohen të veprojnë në mënyrë të pavarur nga partia politike që e ka vendosur në listë. Ata janë të lidhur dhe të varur nga nga ky subjekt, nga partia politike që i ka kandiduar. Prandaj Kodi Zgjedhor nuk u njeh kandidatëve të listës shumë emërore as të drejtën e ankimit tek organet e administrimit të zgjedhjeve apo përpara Kolegjit Zgjedhor, madje as si person i interesuar, veç vendimit të shpërndarjes së mandateve. Këtë të drejtë e kanë vetëm kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, ashtu sikurse e kishin edhe kandidatët e sistemit mazhoritar, ku secili kandidat për deputet qëndron si subjekt zgjedhor i veçantë. Njëkohësisht, përkrahësit e kësaj pikëpamjeje justifikohen me frymën e Kodit Zgjedhor, i cili, sipas tyre, me zëvendësimin e vendit vakant ka parasysh raste të veçanta, si vdekje, sëmundje të gjata, heqje ose lënie të mandatit të deputetëve të veçantë për shkaqe të ndryshme ligjore, por jo boshllëqet e krijuara me braktisjen e Kuvendit në tërësi nga deputetët e grupeve parlamentare opozitare, si qëndrim politik i partive politike përkatëse.

Ana tjetër, kryesisht përkrahësit e mazhorancës aktuale që, në fakt ka në dorë edhe gurin edhe arrën, argumenton se sipas nenit 164 i Kodit Zgjedhor, që rregullon ndërprerjen e mandatit dhe zëvendësimin e e vakancës, nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive, sikurse ka ndodhur me opozitën parlamentare shqiptare. Me Kushtetutë, deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues, pavarësisht krahut politik që i përkasin. Heqjen dorë nga mandati e bën vetë deputeti, jo partia politike të cilës i përket. Në këtë rast, mandati i ndërprerë i tij i kalon automatikisht kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse ose, kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë, procedurë që vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të tyre.

Këtë kalim Kodi Zgjedhor nuk e kushtëzon me pëlqimin e subjektit zgjedhor, në listën e të cilit përfshihet kandidati. Ai nuk shprehet nëse kjo procedurë zbatohet për vakanca të veçanta apo edhe për vakanca të krijuara nga dorëheqje të një mase të konsiderueshme deputetësh njëkohësisht, sikurse ka ndodhur me deputetët e opozitës shqiptare. Duke pasur bindjen se ky vlerësim është në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, KQZ-ja dhe mazhoranca po vazhdojnë zëvendësimet e vakancave të krijuara nga deputetët e dorëhequr.

Kush ka të drejtë? Këtë do ta zgjidhte Gjykata Kushtetuese, po të funksiononte, e cila vendos edhe për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, si dhe për verifikimin e zgjedhjes së tyre. Le të “presim” zgjedhjen e Gjykatës Kushtetuese.

Login to post comments