Basha, letër Prokurorisë: Po bëni hetime politike, tërhiquni menjëherë

E Enjte, 21 Mars 2019 10:39

Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranë, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e konsideroi kërkesën e paraqitjes në prokurori për njohjen e akteve rreth hetimit për respektimin e ligjit në deklarimet financiare të Partisë Demokratike si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.

Kryetari Basha bën të ditur se as ai dhe asnjë drejtues tjetër i Partisë Demorkatike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, arsye për të cilën ata nuk ka nevojë të informohen dhe prokuroria nuk ka asnjë detyrim të informojë për të dhënat e verifikimeve që po bën.

Kryetari Basha shpjegon se zyrtarët e PD janë paraqitur në Prokurori për të dhënë shpjegimet e tyre që ndihmojnë prokurorinë në këtë çështje. Për këtë arsye, çmohet e panevojshme paraqitja sipas njoftimit të ardhur për njohjen me aktet. “Fakti që një ftesë e tillë vjen 6 muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike.”-thuhet në letrën e Kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Duke vënë në dukje se “me thirrjen e panevojshme, keqinformuese dhe në një kohë të përzgjedhur politikisht, ju keni kompromentuar rëndë integritetin dhe paanshmërinë e hetimit”, zoti Basha i kërkon Prokurorisë së Tiranës të distancohet menjëherë nga qendrime me prapavijë politike, si dhe të marrë të gjitha masat për të ndaluar në të ardhmen çdo lloj përdorimi për qëllime politike të hetimi.

22

Modifikuar më E Enjte, 21 Mars 2019 10:43
Login to post comments