Kryemadhi: Asnjë hap pas, nuk do të na ndalin në misionin tonë

E Enjte, 21 Mars 2019 13:18

Fjalimi i Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi në protestën përpara parlamentit.

Shqiptarët sot nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike, nuk kanë mundësi të paguajnë çmimin e ujit, nuk kanë mundësi të ushqejnë fëmijët e tyre.

Të gjithë ata pensionistë, të cilët jo vetëm që nuk paguajnë dot drita dhe ujë por as ilaçet. Të gjithë ata të cilët nuk ndihen të respektuar nga shteti I tyre por përkundrazi, të grabitur deri në qindarkën e fundit.

Sot ne si ish-deputetë, por në fakt ish-deputetë të një parlamenti ilegjitim i cili është jo vetëm I kapur por dhe I bërë pis, por jemi deputetë të qytetarëve.

Ne jemi deputetët tuaj, sepse vetëm suporti dhe mbështetja juaj janë vlerat që duhet të ketë sot politika shqiptare.

Ne përfaqësojmë çdo qytetar që nuk ka mundësi për të jetuar dhe nuk ka mundësi për të qenë të barabartë, jo vetëm në ekonomi por edhe të barabartë përpara drejtësisë.

Ne shikojmë sesi policia troket natën vonë në dyert e shqiptarëve dhe sidomos te banorët e Unazës së Re, apo dhe te qytetarët që protestojnë.

Por akoma nuk kemi parë polici që të trokasë në derën e Damian Gjiknurit, që vodhi 30 milionë euro vetëm në një ditë.

Akoma nuk kemi parë drejtorët e policisë të cilët ishin bashkëpunëtor në trafikun e drogës, por janë zhdukur. Nuk kemi parë të korruptuarit që kanë vjedhur taksat e shqiptarëve, por shikojmë sesi burgjet mbushen me fukarenjtë dhe të varfër që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike. Burg më të keq se varfëria nuk ka.

Prandaj asnjë nga ne nuk ka se çfarë të humbasë. Asnjë nga ne nuk ka se çfarë të humbasë përveç zinxhirëve të varfërisë. Ne e kemi thënë, asnjë hap pas.

Ne do të ecim drejt dhe asnjë njeri nuk mund të na ndalojë në rrugën tonë, në misionin tonë, për të rikthyer vlerat që na mungojnë dhe që i grabiti Edi Rama.

Vlerat shqiptare, vlerat e dashurisë, mikpritjes, vlerat kombëtare që Edi Rama i përdhosi dhe i ktheu në vlera të krimit dhe në vlera të varfërisë.

Sot më shumë se kurrë ne jemi të vendosur për të ecur përpara. Zoti ju ruajt ju, Zoti i ruajt shqiptarët. Zoti e bekoftë Shqipërisë dhe shqiptarët kudo që janë.

Login to post comments