SIpas mendimit të kreut të Agrarëve, Agron Duka, djegia e mandateve nuk është diçka e mirë. Grupet e reja parlamentare që pritet të krijohen në Kuvend me deputetë nga listat e PD-së dhe LSI-së, pasi tashmë janë plotësuar numrat për ta bërë diçka të tillë, zoti Duka i quajti “produkte OMGJ”.
“Ata kanë hyrë si anëtarë të një force politike dhe nuk mund të rrinë aty ndërkohë që forcat që i kanë përfshirë në lista janë jashtë. Por sistemi qendror zgjedhor ka sjellë këtë problem”, tha Duka.
Por, si do të sillej zoti Duka me kandidatët për deputetë nga PAA-ja, nëse do t’iu jepej mundësia të futeshin në Kuvend?
Ai deklaroi në emisionin “Open” se i ka këshilluar kandidatët për deputetë të partisë së tij të vendosin vetë nëse do të hyjnë apo jo në Parlament. Duka tha se është në një linjë me opozitën, por theksoi që ka vendosur të mos dalë në mitingje, pasi e shikonte veten jo shumë populist.