Zv.kryetari i LSI-së Luan Rama ka dhënë gjykimin e kësaj force politike sot mbi konkluzionet e raportit vjetor të DASH për Shqipërinë.
'Anëtarësimi në NATO është gjithashtu në këtë 10 vjetor, edhe një moment i rëndësishëm reflektimi për ta ndarë Shqipërinë përfundimisht nga shfaqje, fenomene, dukuri negative që jo nuk i bëjnë nder një vendi anëtar të NATO-s, por që në të kundërt, krijojnë një imazh negativ dhe kosto të mëdha për vetë vendin dhe interesat evropiane të Shqipërisë, - tha Rama sot në një konferencw shtypi. - Më konkretisht është paradoksale, por që në fakt është e vërtetë, që edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të SHtetit, vazhdon ta ketë Shqipërinë në qendër të fokusit për një mori aktivitetesh kriminale.
Ajo çfarë është për t’u evidentuar nga ky raport, ka të bëjë me faktin që në të thuhet se “korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotrafikëve”.
Raporti evidenton gjithashtu se “korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndërshkuar”.
Ky përcaktim evidenton edhe njëherë, pandërshkueshmërinë si një nga problemet më të mëdha që ka sistemi ynë i organizimit shtetëror, si një nga problemet më të mëdha që ka shoqëria shqiptare.
Raporti evidenton gjithashtu, të njëjtat probleme që ka evidentuar edhe më parë dhe vë theksin edhe tek pastrimit të parave, pasi “gjatë vitit 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit ta parave dhe të krimit financiar”.
Pa dashur të marr dhe të lexoj paragraf më paragraf atë që evidenton raporti, është për të ardhur keq, madje është e turpshme që Shqipëria të vazhdojë të jetë në faqet e këtij raporti, vendi i akuzuar, përsa i përket trafikut të lëndëve narkotike, përsa i përket pastrimit të parave, përsa i përket korrupsionit dhe përsa i përket rolit të saj si një vend ndërmjetës për trafikun e drogërave të forta, e për krimin e organizuar.
Prandaj është imperative, është urgjente, është alarmante që shkaktarët e këtij realiteti të mbajnë përgjegjësi, që ata që e kanë stimuluar dhe e kanë ushqyer këtë realitet, që e vë Shqipërinë nën akuzë, të përgjigjen, sepse nuk mund të vazhdohet edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh portë e kalimit të trafiqeve të drogërave të forta; edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh vend me korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisjes; edhe të jesh vend anëtar i NATO-s, edhe të jesh vend ku korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe nxit një mjedis ku trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndërshkuar.
Jashtë demagogjisë, jashtë fasadës nuk mund të mos themi që përgjegjësia kryesore për këtë realitet kriminal, bie mbi qeverinë aktuale. Në fund të fundit, raportet e saj me krimin dhe fakti që ajo është produkt i një veprimtarie kriminale që lidhet edhe me zgjedhjet e vitit 2017, nuk kanë tregues tjetër përveç këtyre treguesve të rëndë, akuzë e drejtpërdrejtë që vjen nga raporti më i fundit i DASH.”