Fatmir Guda refuzon mandatin e deputetit: Kam zgjedhur të rri më qytetarët

Premte, 29 Mars 2019 15:17

Kandidati për deputet i qarkut të Korçës, Fatmir Guda ka refuzuar mandatin nëpërmjet një deklarate publike në faqen e tij në Facebook.

“Edhe pse e gjykuam se parlamenti ishte vendi dhe rasti i duhur për të ngritur me forcën e arsyes një nga çështjet më me rëndësi siç është korrigjimi i hartës territoriale administrative, konkluduam se ky institucion tashmë e ka humbur legjitimitetin dhe moralin“, shkruan Guda.

Ja postimi i plotë i tij

ËSHTË NDER DHE PRIVILEGJ TË QËNËT PJESË E PARLAMENTIT TË VËNDIT TËND, TË PËRFAQËSOSH DHE MBROSH ATJE INTERESAT E QYTETARËVE TË TU!

Por ja, që kushtet në të cilat më ofrohet marrja e mandatit të deputetit për të qënë pjesë e tij janë krejtësisht larg normalitetit, pasi institucioni bazë i demokracisë gjendet në krizën e tij më të thellë të përfaqësimit, për shkaqe të njohura botërisht, që nga përfshirja në të e elementëve të botës së krimit dhe deri tek përdorimi i tij në mënyrë autoritariste për uzurpimin në një dorë të vetme të të gjitha pushteteve. Është kjo situatë që dhe u ka diktuar partive opozitare vendimarrjen politike më të papreçedentë , siç është akti ekstrem i djegies në grup të mandateve parlamentare.

Pa dashur të abuzoj e ta bëj edhe më qesharak termin “u konsultova me ndërkombëtarët”, ju bëj me dije, se përveç leximit qartë të verdiktit unanim të strukturave drejtuese të PD dhe opozitës së bashkuar, të vetmit me të cilët mbartja detyrimin për tu konsultuar ishin ata që më kanë mbështetur në të gjitha sfidat e mia politike, sikundër edhe gjatë fushatës elektorale të 2017, të cilët më kërkuan të mos dilja jashtë vullnetit politik të subjektit që unë përfaqësoj.

Edhe pse e gjykuam se parlamenti ishte vëndi dhe rasti i duhur për të ngritur me forcën e arsyes një nga çështjet më me rëndësi siç është korrigjimi i hartës territoriale administrative, konkluduam se ky institucion tashmë e ka humbur legjitimitetin dhe moralin me një mungesë të shprehur të dëshirës për të dëgjuar zërin opozitar dhe emergjencë kombëtare është zvëndësimi sa më herët me një kuvend shqiptarësh të dalë nga vullneti i lirë i qytetarëve.
Ja përse asnjë lloj tundimi, presioni apo shantazhi i pamunguar i këtyre ditëve s’më ka dyzuar aspak ta refuzoj prerazi mandatin e ardhur antikushtetuetshmërisht, duke shpresuar shumë, se me këtë akt nuk do jem i vetmi që do i vij sado pak në ndihmë dhe një sahat e më parë zgjidhjes së krizës politike në vënd.

PRA, ME QINDRA HERË TË TJERA TË MË OFROHEJ NJË MUNDËSI E TILLË, NË TË TILLA RRETHANA, PA U MENDUAR DY HERË, PO NJËLLOJ DO TA REFUZOJA.

Aspak i lumtur për katandinë e mexhlisit të popullit tim, edhe unë kam zgjedhur të rri me qytetarët dhe s’do të rresht së kontribuari dhe luturi në zot, që Shqipëria jonë ti rikthehet stabilitetit dhe vlerave të demokracisë evropiane!

Modifikuar më Premte, 29 Mars 2019 15:53
Login to post comments