Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë sot në Shkodër për të prezantuar prefektin e ri të këtij qyteti Valdrin Pjetri.
Mirëpo ky prezantim i bërë sot, ka sjellë dhe një përballje të ministrit me kryebashkiaken Voltana Ademi, e cila ka ngritur alarmin për gjendjen e krimit në Shkodër, ku vetëm në 8 muaj ka pasur 11 viktima në atentate, të tipit mafioz, dhe në përballje mes bandave.
Në një moment që Ademi po diskutonte me drejtorin e Policisë, Ardi Veliu, ku i fundit është larguar në mënyrë demonstrative nga takimi, ndërkohë që kryebashkiakia nuk e ka fshehur zhgënjimin për këtë gjest. Ndërkohë Veliu u shpreh se ai nuk ishte politikan, dhe refuzonte që të bënte një debat të tillë.
Ademi iu drejtua ministrit Lleshaj: Situata problem në Vlorë, Elbasan dhe kudo, por në Shkodër nuk pranohet shprehja të hanë kokat e veta. Ka rënie të turizmit mbyllje të biznesit dhe largim masiv të qytetarëve. Jam gati të bashkëpunoj pasi as policia se bën dot e vetme, ngjarjet mund të parandalohen. Unë flas me zemër dhe ofroj të gjithë bashkëpunimin tim ndaj Policisë së Shtetit, pasi mendoj se krimi nuk mund të luftohet vetëm.
Ndërkohë që ministri Lleshaj tha se situata e krimit është një problem i mbartur.
‘Ato janë produkt i krimit të organizuar në vite, niveli i sigurisë është sfiduar disa herë, krimi ka arritur që të lëshojë rrënjë. Me gjithë goditjet e mëdha sërish ngelet një sfidë shumë e madhe, ftoj qytetarët që të bëhen palë dhe të gjithë së bashku të sfidojnë krimin.