Edi Rama hedh hapin e parë, drejt shtyrjes së zgjedhjeve

Tuesday, 02 Prill 2019 11:11

Ditën e djeshme  Grupi Parlamentar i PS, në mënyrë të “papritur “vendosi që në  seancën e nesërme plenare,  të kërkojë shtyrjen me 3 muaj të afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Mësohet nga burime brenda kësaj force politike, se ky urdhër është dhënë nga vetë Edi Rama, i cili duket se po bën kështu hapin e parë institucional për shtyrjen fillimisht të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, për ti hapur rrugë reformave totale që kërkon në sistem opozita e bashkuar jashtë parlamentare.

Pavarësisht se ditën e nesërme në parlament do tu kërkohet deputetëve “renegatë” të opozitës që të bëhen pjesë e këtij komisioni, mesazhi shkon për opozitën zyrtare që është në rrugë me protestuesit dhe veçanërisht për ndërkombëtarët, të cilët e kanë ritheksuar disa herë që nuk mund të ketë zgjedhje, qoftë edhe lokale, pa një Reformë të re Zgjedhore. Aktualisht Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore mund të konsiderohet krejtësisht i bllokuar dhe dera e zyrës së tij përgjithësisht ka qenë e kyçur, që kur është krijuar.

Por edhe nëse merr këtë afat të ri tre mujor, edhe teknikisht është e pamundur që të realizohet reforma e re e cila kërkon edhe ndërhyrje kushtetuese, për të mos folur për kohën që kërkon votim-numërimi elektronik dhe çështja e votës së emigrantëve. Kjo lëvizje e Ramës bëhet më së shumti për ndërkombëtarët, tani në prag të vendimit për hapjen e negociatave dhe tashmë dihet që veçanërisht Gjermania e ka ritheksuar disa herë zyrtarisht, se nuk do të pranojë asnjë palë zgjedhje në Shqipëri që do të vazhdojnë të zhvillohen, me Kodin e vjetër Zgjedhor.

Login to post comments