Kur Edi Rama vendosi të emëronte Gent Cakajn si simbolin e anonimatit të një kabineti anonimësh, shumë zëra opozitarë, media pranë tyre dhe një valë komentesh në rrjetet socale shpërthyen me një furi ironish, sarkazmash dhe talljesh për ministrin e ri nga Prishtina.
Në mënyrë të çuditshme ato i’u mbivendosën edhe akuzave të rënda, se ky djalosh ishte pilotuar në atë post, për të realizuar axhendën okulte të copëtimit të Kosovës dhe hapjen e « kutisë së Pandorës » në Ballkan.
Paradoksalisht, kandidati i ri për ministër të jashtëm më shumë sesa një politikan që mund të bënte keq, u portretizua si një personazh që mund të shkaktonte të qeshura.
Për këdo që është i ftohtë në gjykim dhe i pa ngërkuar me gërmërjen lokale të politikës së Tiranës, këto paragjykime dukeshin të eksagjeruara.
Me përjashtim të faktit se Cakaj, ishte katapultuar në qeveri duke nëpërkëmbur parimin e meritokracisë, as shkollimi, as mënyra e të folurit dhe as ato pak paraqitje televizive që pati bërë, nuk e justifikonin këtë qesharakëzim.
Shumë kush as nuk e pranoi, as nuk e justifikoi atë, i ndihmuar edhe nga propaganda e kryeministrit për kastën e konsumuar që ka frikë në rrjedhja e gjakut të ri në politikë.
Por sot, kur Gent Cakaj ka kryer « aksionet » e para publike, mund të thuhet pa frikë se ai po i përshtatet plotësisht steriotipit më të keq që u krijua për të.
Askush nuk është në gjendje të kuptojë se si dikush me një lloj respekti për veten, mund të pranojë të dalë në tribunën e ministrit të jashtëm për të thënë se ka shkarkuar 20 vetë nga puna (përfshirë këtu edhe shoferin e ambasadës tonë në Bullgari që i kushtuakërka shumë buxhetit të shtetit).
Askush nuk mund ta imagjinojë që ai që presupozohet të na flasë për strategjinë gjeopolitike të Shqipërisë, për perspektivën e integrimit, për aleancat dhe rreziqet e dekadave të ardhshme, merr pozat e një polici që shkul targat e makinave të konsujve të nderit.
Për më tepër, askush nuk mund t’a perceptojë, se si një njeri me integritet, mund të pranojë të bëjë lolon e Edi Ramës dhe t’u kumtojë shqiptarëve se raporti i zi i departamentit të shtetit për trafikun e drogës dhe krimin, ishte pozitiv për arritjet e qeverisë shqiptare.
Natyrisht, nuk ka diskutim se këtë rol qesharak atij ia ka ngarkuar regjizori Edi Rama. Masat për heqjen e targave CD i’u ngjajnë ngrefosjeve populiste të Saimir Tahirit për të gjobitur makinat e deputetëve, në të njëjtën kohë që Shqipëria mbillej e tëra me kanabis.
Kthimi përmbys i raportit amerikan, është pjesë e psikozës së kryeministrit për të mos pranuar asnjë fakt që nuk i shkon për shtat.
Por, këtu pyetja nuk është se kush ka dhënë urdhërin. Tashmë të gjithë e dinë se si funksionon kabineti i anonimëve të rilindjes.
Këtu dilema shtrohet se si është e mundur që Gent Cakaj u identifikua kaq shpejt me steriotipin qesharak që kritikët dhe kundërshtarët vizatuan për të?
Si i zhgënjeu ai në mënyrë të rrufeshme të gjithë ata që e konsideruan të papranueshëm dhe të turpshëm stigmatizimin fillestar që i’u bë? E në këtë pikë ai nuk është fajtori i vetëm. Si karakteri po ashtu dhe mungesa e tij e eksperiencës, janë po aq pak përgjegjës sa dhe të gjithë ata që fillimisht e tallën e ironizuan dhe e përqeshën në mënyrë të pa drejtë.
Sepse për imazhin publik që Caka ka krijuar tashmë duhet drejtuar gishti mbi Edi Ramën. Qe ai që e shndërroi në kllounin e farsave populiste dhe zëdhënësin e manipulimeve të paturpshme. Qe ai, që duke e vënë të aktrojë në tre dajle publike rresht e shndërroi Gentin në një figurë komike. Prandaj kur qeshni me Cakajn, mos ia dini për nder Facebookut, por kryeministrin.