Qeveria greke ka detyruar Kryeministrin Rama të tërhiqet nga vendimi i tij për shtetëzimin arbitrar të gjithë bregdetit të jugut. Në shkurt 2018, Qeveria Rama, miratoi vendimin që praktikisht rishtetëzon të gjitha pronat në vijën bregdetare të regjistruara në hipotekë në pronësi të qytetarëve që janë bërë pronarë në bazë të ligjin 7501 të shpërndarjes së tokave të kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore.
Vendimi i qeverisë shprehet: “Njësitë e vetëqeverisjes vendore, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi”.
Ky vendim mbulon të gjithë vijën bregdetare nga veriu në jug dhe është kaluar në heshtje totale nga politika shqiptare. Kundër këtij vendimi nuk ka reaguar as opozita, edhe pse ca kohë më parë ajo deklaroi se kishte zbuluar skemën e vjedhjes së pronës nga kryeministri Rama.
Por këtë përpjekje të kryeministrit tonë nuk e ka lënë në heshtje qeveria greke, e cila e ka quajtur vendimin “vjedhje të pronave” dhe shkelje të të drejtave të minoritarëve. Përfaqësues të qeverisë greke kanë reaguar vazhdimisht për këtë problem.
Më 7 shkurt eurodeputeti grek Chrysogonos në Parlamentin Evropian tha se qeveria shqiptare po vjedh tokat e minoritarëve. Më 24 shkurt, presidenti grek tha se:
“Pretendimet e (shtetit shqiptar) për prona të bashkëpunëtorëve të nazizmit (kështu i cilëson çamët) përbëjnë një pengesë të pakapërcyeshme për kursin e qetë evropian të Shqipërisë” .
Më 29 mars, Kryeministri grek Tsipras e kërcënoi direkt qeverinë shqiptare, “Sot kam mësuar se ka një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri… Nëse informacionet do të jenë të vërteta do të ishte një zhvillim shumë negativ”.
Pas kërcënimit të Tsipras, Kryeministri Rama e pezulloi dje zbatimin e këtij vendimi për pronat në vijën bregdetare nga Vlora në Sarandë. Madje dje në darkë, Kryeministri Rama dhe Kryeministri Tsipras patën një bisedeë telefonike për ketë problem./Exit.al