Kryeministri nxori ushtrinë, së pari, për të spostuar vëmendjen publike dhe analizën nga mungesa e rendit publik e sigurisë në aeroportin e Rinasit, për fajin e qeverisë së tij. Dhe së dyti, për të bërë një sondazh se si do të reagojë politika, Presidenti dhe publiku në rast se nesër do të nxjerrë ushtrinë, pa vendim parlamenti dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, sapo protestat e opozitës të jenë më radikale, të rrethohet Kuvendi dhe Kryeministria në mënyrë të dhunshme.
Grabitësit e 10 milionë eurove në aeroportin e Rinasit tashmë janë duke numëruar të qetë paratë dhe tallen me gjithë shtetin që e rrëzuan për 4 minuta, kurse nga ana tjetër kryeministri Edi Rama ka gjetur një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga ky skandal i madh. Me një urdhër personal, antikushtetues, ka detyruar ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të nxjerrin nga kazermat ushtarake forcat e ushtrisë dhe t’i vendosë në aeroportin e Rinasit. Siç transmetoi mbrëmë emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut, ata i kishin dërguar për fasadë dhe për foto, sepse asgjë nuk po ruanin, sepse përsëri porta nga hynë grabitësit nuk kishte asnjë masë mbrojtje, por vetëm kishin ndërruar zinxhirin të cilin e prenë grabitësit kriminalë.
Konkretisht, batalioni i operacioneve speciale, një njësi e specializuar për luftime urbane dhe që pjesë të funksionit të saj ka reagimin për situata lufte dhe terrorizmi ekstrem nga pardje është vendosur në mënyrë të befasishme në aeroport. Batalioni i çertifikuar nga NATO për luftën në Afganistan dhe Irak është nxjerrë me të njëjtën shpejtësi sikur vendi të ishte në situatë të jashtëzakonshme lufte. Por zyrtarisht vendi nuk është në gjendje të jashtëzakonshme. Që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për sigurinë duhet që të votojë Kuvendi me kërkesë të Këshillit të Ministrave. Po ashtu, zhvendosja e trupave dhe mjeteve ushtarake të këtij niveli dhe për më tepër në një zonë civile, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Forcat e Armatosura, nuk bëhen me vendim të ministrit të Mbrojtjes, por me vendim të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura që është Presidenti i Republikës. Në të gjitha rastet e mundshme të lëvizjes së trupave për sigurinë në një zonë civile është Parlamenti dhe më pas Presidenti që kanë kompetenca të plota.
Dje zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi deklaroi për mediat se “Presidenti i Republikës i ka kërkuar zyrtarisht informacion Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut, mbi bazën ligjore të vendosjes së efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza. Pasi të ketë një informacion më të plotë mund të bëjë një reagim publik”. Ndërkohë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka bëri një tjetër interpretim duke argumentuar se vendimi bazohej në çështjen e sigurisë së aeroportit. Por qeveria thotë se me grabitjen në Rinas nuk u cenua siguria kombëtare dhe nëse është kështu, përse duhet ushtria derisa nuk ka cenim të sigurisë kombëtare? Në mungesë të argumenteve ligjore për nxjerrjen e ushtrisë, kryeministri Edi Rama dje postoi vetëm një foto ku shkruante se edhe në Francë, Holandë, etj, ushtria përdoret për ruajtjen e aeroporteve. Një krahasim i tillë me pushtimin e Rinasit nga ushtria shqiptare është vetëm një mënyrë për t’u shmangur nga thelbi i asaj që ka ndodhur. Në Francë dhe Itali, ushtria ka dalë në rastet kur kanë ndodhur akte terroriste të rënda. Por edhe kur në këto shtete nxirren blindat, më parë është Parlamenti që ka vendosur për një masë të tillë. Ndërsa në Shqipëri, gjithë procedura Kushtetuese dhe ligjore e Forcave të Armatosura është lënë në dorë të kreut të qeverisë.
Në veprimet e kryeministrit me vetëdije është shkelur Kushtetua dhe janë shmangur Parlamenti, si institucioni më i lartë vendimmarrës dhe Presidenti i Republikës, që ka dhe detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. E thënë ndryshe, kryeministri Edi Rama ka kryer ligjërisht një puç ushtarak, duke nxjerrë në rrugë trupat ushtarake në kundërshtim të ligjit dhe Kushtetutës. Në çdo mënyrë që të argumentohet kjo lëvizje e kreut të qeverisë, kemi të bëjmë me një tentativë të rrezikshme për mënyrën sesi po devijon keqpërdormi i pushtetit. Ajo që është më shqetësuese në këtë histori është precedenti i krijuar. Qeveria, pa pyetur Kuvendin (atë që ka mbetur tashmë pas ikjes së opozitës) dhe as Presidentin nxori ushtrinë për një grabitje me armë duke pranuar se policia dhe siguria dështoi. Në vend që të analizohet dhe merren masa se cili institucion qeveritar nuk funksionoi në këtë rast, kryeministrit luajti ndryshe; nxori ushtrinë nga kazermat. Nesër, Qeveria mund të nxjerrë në rrugë forcat speciale ushtarake dhe tanket me argumentin se policia nuk menaxhon dot protestat e opozitës që kërkojnë largimin e saj nga pushteti. Ndaj dhe prova e Edi Ramës këto ditë ngjan më shumë si një test për puç ushtarak.
Kryeministri e bëri këtë veprim së pari për të spostuar vëmendjen publike dhe analizën nga mungesa e rendit publik e sigurisë për fajin e qeverisë së tij. Dhe së dyti bëri një sondazh që si do të reagojë politika, Presidenti dhe publiku në rast se nesër do të nxjerrë ushtrinë kur protestat e opozitës të jenë më radikale që do të rrethojnë Kuvendin dhe Kryeministrinë./Qamil Xhani, Kohajonë/