Entuziazmi me të cilin u prit në Fier, u lexua nga Kryetari i PD, Lulzim Basha si shenjë e ndryshimit, që po bëhet realitet politik. Kreu i opozitës tha se Edi Ramës i kanë rënë të gjitha alibitë dhe çdokush e ka të qartë se pushteti i tij nuk buroi nga vota e qytetarëve, por nga bashkëpunimi me oligarkinë.
“Banda në pushtet e Edi Ramës që ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik, sot qëndron si kërcënimi më i madh për sigurinë e njerëzve, si shkaktari numër 1 i varfërisë, mjerimit, braktisjes së vendit.
Edi Rama dhe banda e tij e dinë fare mirë se zgjedhje palo-zgjedhje, zgjedhje fallco pa opozitën nuk ka për të pasur.
Kauza e çlirimit të Shqipërisë nga banda e Edi Ramës është përqafuar nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, që i janë bashkuar thirrjes, kushtrimit dhe emergjencës kombëtare “Rama ik”.
Lulzim Basha tha se është përgjegjësi e PD t’i udhëheqë shqiptarët për realizimin e projektit që transformon Shqipërinë nga një vend bazë operacionale për krimin e organizuar, siç e quan Departamenti i Shtetit, në një vend që siguron mundësi dhe mirëqenie për qytetarët e saj.
“Kjo është arsyeja se pse të gjitha matjet dhe studimet e opinionit publik tregojnë sot, se ne, jo vetëm jemi forca e parë politike në vend, por gëzojmë besimin e shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm për të kaluar këtë krizë, por për t’iu përgjigjur kësaj krize me një transformim kaq të thellë politik dhe ekonomik, saqë të pamundësojmë sot e përgjithmonë, që fati i vogëlushëve shqiptarë, fati i studentëve shqiptarë, fati i të punësuarve që kanë frikë për sigurinë e punës, fati i të papunësuarve që enden rrugëve në kërkim të punës, fati i pensionistëve, i prindërve tanë, kurrë më të mos bjerë në duart e një njeriu të korruptuar apo një pale të korruptuar si kjo, e organizatës kriminale të Rilindjes.”
Lideri i opozitës vuri në dukje se për shkak të bashkëpunimit me krimin, qeveria i ka mbyllur Shqipërisë derën e Europës për 6 vjet me rradhë, duke u kthyer në kërcënimin më të madh për shqiptarët. Për ta ndryshuar sa më shpejt këtë realitet, Lulzim Basha, tha se bashkimi me protestën e 13 Prillit është vendimi i duhur për çdo qytetar që e do Shqipërinë si gjithë Europa.
“Stabiliteti në Shqipëri është kërcënuar nga krimi i organizuar, në partneritet me qeverinë, ndaj e vetmja rrugë për të rithemeluar stabilitetin afatgjatë të këtij vendi është ajo që kalon përmes demokracisë së vërtetë, zgjedhjeve vërtetë të lira e të ndershme dhe drejtësisë së vërtetë, që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin, me kriminelët bashkëpunëtorë të tyre. Prandaj beteja jonë është e vetmja betejë për stabilitet të vërtetë dhe është një leksion për popujt e tjerë të Ballkanit, se ky vend edhe njëherë, do t’i prijë integrimit evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke pranuar, imponuar dhe zbatuar asgjë më pak se standartet evropiane për qytetarët tanë dhe vendin tonë.”