Gjermania i vendos kushte Ramës për negociatat

Premte, 12 Prill 2019 21:09

Kur jemi pak muaj nga marrja e vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, Gjermania thotë se procesi varet nga “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare.” Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, shtoi se vendimi për hapjen e negociatave do të merret pasi publikimit të raport progresit të Komisionit Europian.

Sipas Berlinit zyrtar, hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian varet nga “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare".

Më herët kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor dhe paralajmëroi se Bashkimi Europian do të tregonte “verbëri monumentale nga këndvështrimi strategjik,” nëse i hapte negociatat vetëm për Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë se, ditën e mërkurë, parlamenti holandez vendosi me shumicë votash rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë për shkak të rritjes së kriminalitetit me origjinë shqiptare në vend dhe shtimit të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në këtë vend.

Ndërkohë më 29 prill, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të takohen me liderët politikë të Kosovës dhe Serbisë.

Duke shpjeguar arsyen e ftesës së kancelares Merkel dhe presidentit Macron, Seibert tha se ata dëshirojnë të flasin me “bashkëbiseduesit e tyre për sfidat e veçanta në rajon dhe në radhë të parë për dialogun Serbi-Kosovë.”

Zëdhënësi nuk pranoi të thoshte asgjë për pritshmëritë nga konferenca, por shtoi se takimi “është fryt i mëtejshëm i interesimit të thellë që ka Gjermania për zhvillimin pozitiv të Ballkanit Perëndimor.”

Login to post comments